Dita e Flamurit – 28 Nëntori është një nga datat më domethënëse të historisë sonë kombëtare. Është dita kur kujtesa historike, sakrifica dhe aspirata shekullore për liri e shtetësi gërshetohen në një simbol, i cili ndër breza ka mbajtur gjallë identitetin, dinjitetin dhe krenarinë e popullit shqiptar, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi drejtuar qytetarëvce shqiptarë me rastin e Ditës së Flamurit.

“Për shqiptarët kudo që jetojnë, e në veçanti për ne në Maqedoninë e Veriut, kjo festë na rikthen te ata që ngritën flamurin duke e bërë atdheun e pavarur, por edhe te brezat e tërë që, në rrethana të ndryshme historike, e ruajtën atë të gjallë në zemrat e tyre. Gjuha, kultura, identiteti dhe ndjenja e përkatësisë kombëtare janë një trashëgimi e çmuar, të cilën kemi detyrimin ta ruajmë e ta përcjellim te brezat që vijnë, me përgjegjësi, vizion dhe unitet”, thekson Gashi në urim.

Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues, e konsideroj përgjegjësi të vazhdueshme angazhimin për avancimin e barazisë, përfaqësimit të drejtë, si dhe për forcimin e institucioneve demokratike ku çdo qytetar ndihet i barabartë dhe i respektuar.

“Jam i bindur se dashuria për kombin, ruajtja e identitetit dhe përkushtimi ndaj shtetit e shoqërisë ku jetojmë nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato plotësohen dhe marrin kuptim përmes respektit, barazisë dhe përgjegjësisë së përbashkët. Prandaj, qoftë 28 Nëntori jo vetëm një ditë krenarie për atë që kemi trashëguar, por edhe një zotim për atë që duam të ndërtojmë. Me dashuri për kombin, me përgjegjësi ndaj shtetit dhe shoqërisë ku jetojmë dhe me respekt për njëri-tjetrin, të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme të dinjitetshme për të gjithë. Gëzuar 28 Nëntorin!”, thuhet në urimin e Afrim Gashit, kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume