Ministri i Arsimit i Koresë së Jugut, Choi Kyo-jin, paraqiti dorëheqjen e tij të dielën, dhe Presidenti i vendit Lee Jae-myung e pranoi atë.

Dorëheqja erdhi pas konfuzionit të shkaktuar nga ndryshimet e minutës së fundit në rregullat e provimeve kombëtare të pranimit në universitet, të cilat kishin për qëllim parandalimin e përdorimit të inteligjencës artificiale, IA, si një mashtrim modern gjatë provimeve, të cilat u mbajtën javën e kaluar.

Choi tha se disa ndryshime të bëra pak para provimit Suneung, shkurtimi korean për provimin vjetor kombëtar të pranimit në universitet të vendit, i cili u mbajt të enjten e kaluar, kishin shkaktuar konfuzion tek publiku, përfshirë edhe vetë kandidatët.

“Si ministër përgjegjës, mendoj se nuk mund t’i shmang kritikat për faktin se nuk arritëm të përgatitemi në kohë”, tha ai në një deklaratë të lëshuar nga ministria.

“Tani që provimet kanë mbaruar, ndihem thellësisht përgjegjës dhe po paraqes dorëheqjen time”, shtoi ai.

Lee pranoi dorëheqjen e Choi rreth një orë pasi ministri njoftoi qëllimin e tij për të dhënë dorëheqjen, tha një zëdhënëse presidenciale në një deklaratë për shtyp.

Ajo deklaroi se procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të Choi do të ndjekë procedurat e përcaktuara.

Ministria koreane e Arsimit është kritikuar ashpër për njoftimin e nxituar të rregullave të reja kundër kopjimit përmes inteligjencës artificiale, madje edhe në prag të provimeve, duke shkaktuar konfuzion të gjerë midis kandidatëve dhe mësuesve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume