Ohër, 11 nëntor – Detyra jonë është t’u rezistojmë presioneve politike dhe ta mbajmë politikën brenda kornizës së ligjit, tha sot në Ohër kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. Ai vlerësoi se Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që duhet të sigurojë që politika dhe organet shtetërore të respektojnë kornizat kushtetuese dhe ligjore. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me sfidat me të cilat përballen gjyqtarët kushtetues, Kostadinovski tha se prania e tij në media nuk është për hir të popullarizimit, por për t’u marrë me, siç tha ai, “manipulimet dhe të pavërtetat rreth punës së Gjykatës”.
“Unë dhe disa kolegë të mi jemi të pranishëm në media, jo për t’u bërë të famshëm ose për të popullarizuar vendimet tona, por për t’i rezistuar dhe luftuar manipulimet dhe gënjeshtrat që përhapen rreth punës dhe procedurave. E patë para Gjykatës sonë Kushtetuese që kishte protesta, kishte tenda, u iniciua një procedurë për interpelancën time në Kuvend të cilën e cilësova si komplimenti më i mirë për punën time. Pse? Sepse ka dy kritere, sipas mendimit tim, nëse Gjykata Kushtetuese dhe ai që drejton Gjykatën Kushtetuese po e bëjnë punën e tyre siç duhet. Së pari janë qytetarët në rrugë që më afrohen dhe janë të kënaqur me punën time dhe e dyta është nervozizmi midis politikanëve dhe midis bartësve të organeve shtetërore. Me që janë nervozë, do të thotë që Gjykata Kushtetuese po e bën punën e saj mirë. Për arsyen e thjeshtë se puna jonë thelbësore është ta mbajmë politikën brenda kornizës ligjore, të mos dalim përtej kornizës dhe nuk është rastësi që thashë në video, askush nuk ka më shumë të drejta sesa ato që i jep kushtetuta. E vetmja gjë që do ta mbajë politikën dhe organet shtetërore brenda kornizës së ligjit është Gjykata Kushtetuese”, deklaroi Kostadinovski.
I pyetur nëse presionet politike po shkaktojnë mosbesim tek qytetarët ndaj gjyqësorit, Kostadinovski u përgjigj se nëse ndonjë nga autoritetet përballet me nivele historikisht të ulëta besimi, kjo është rezultat i të gjithë sistemit.
“Pra, nuk mund të themi se gjyqësori ka 2 për qind besim dhe autoritetet e tjera kanë besim të madh, nuk e kanë, sepse është rezultat i sistemit. Pra, kam thënë gjithashtu se organizimi i qeverisjes shtetërore është si një orkestër. Nëse ai orkestër nuk është i akorduar mirë, nëse nuk komunikon, nëse nuk shpreh respekt, do të ngjajë me një orkestër të çakorduar. Nëse secili luan këngën e vet, si do të duket kjo”, thotë Kostadinovski.
Ai shtoi se Komisioni i Venecias ka miratuar tashmë qëndrime shumë të rëndësishme ligjore në periudhën e kaluar, përkatësisht se në shumë vende mandati i gjyqtarëve kushtetues është i kufizuar në nëntë, në 12 vjet, në mënyrë që të mos krijohet një boshllëk në punë, një boshllëk në punën e gjykatave kushtetuese, ato lejojnë që mandatet e gjyqtarëve kushtetues të zgjaten deri në zgjedhjen e një të riu.
“Pra, këto janë risi të rëndësishme dhe janë një reagim ndaj këtyre mënyrave të ndikimit të politikës në sistemin kushtetues. Nuk është e njëjta gjë nëse gjykata vendos me nëntë gjyqtarë apo me pesë apo gjashtë”, ka thënë Kostadinovski.