Ndalet në Aeroportin e Prishtinës 48-vjeçari i dyshuar për kanosjen ndaj Ramiz Lladrovcit
Një 48-vjeçar është ndaluar nga Policia Kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi dyshohet se kishte kanosur kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovcin, gjatë një seance gjyqësore në Drenas.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Blerim Sinanin, i cili dyshohet se më 7 shtator 2026, gjatë zhvillimit të një seance në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dega në Drenas, kishte kanosur Lladrovcin.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, rasti është iniciuar zyrtarisht më 11 tetor nga Njësia e Hetimeve në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Pas veprimeve fillestare hetimore dhe me udhëzim të Prokurorisë, 48-vjeçari ishte shpallur në kërkim policor, me qëllim të sigurimit të pranisë së tij për intervistim lidhur me rastin.
Ai është ndaluar të enjten, më 12 nëntor, nga zyrtarët e Policisë Kufitare në Aeroportin e Prishtinës.
Pas ndalimit, i dyshuari është shoqëruar në ambientet e njësisë hetimore në Prishtinë, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Rasti mbetet nën hetim nga organet kompetente, ndërsa ndaj të dyshuarit vlejnë parimi i prezumimit të pafajësisë dhe të drejtat e garantuara me ligj.