Shpenzimet për jetesë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të rriten. Sipas LSDM-së opozitare, vlera e shportës minimale sindikale në muajin nëntor ka arritur në 70.827 denarë, që është për 469 denarë më shumë krahasuar me muajin paraprak.
Partia opozitare thekson se, nëse llogaritet edhe qiraja e banesës, shpenzimet mujore për një familje arrijnë rreth 90.000 denarë. Sipas saj, as tri paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar këto shpenzime.
Nga LSDM-ja thonë se një familje shpenzon rreth 26.000 denarë në muaj vetëm për ushqim dhe pije, ndërsa paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes nga fillimi i vitit 2027 pritet ta rëndojnë edhe më shumë buxhetin familjar.
“Njerëzit mezi po ia dalin mbanë, sepse pagat nuk e ndjekin rritjen e çmimeve”, thuhet në reagimin e partisë, e cila akuzon Qeverinë se nuk po ndërmerr masa konkrete për të ndihmuar qytetarët dhe kategoritë më të rrezikuara.
LSDM-ja kritikon gjithashtu Qeverinë për refuzimin e kërkesës për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Sipas partisë, Qeveria pretendon se nuk ka mjete për rritjen e pagave të punëtorëve, mbështetjen e fermerëve dhe përmirësimin e vakteve të studentëve, ndërsa njëkohësisht vazhdon të ndajë mjete për tenderë.
Partia opozitare akuzon pushtetin edhe për rritjen e borxhit publik, duke pretenduar se në dy vitet e fundit janë marrë katër miliardë euro borxhe, ndërsa për vitin 2027 paralajmërohen edhe dy miliardë euro të tjera.
LSDM-ja vlerëson se qytetarët po përballen me varfëri gjithnjë e më të madhe, ndërsa kërkon masa konkrete për uljen e kostos së jetesës dhe përmirësimin e standardit të qytetarëve.