Ejup Berisha

Kjo për shkak të situatës së përgjithshme delikate politike, diplomatike dhe të sigurisë në botë, Brukseli duhet të shqyrtojë mundësinë e një iniciative të veçantë politike për shtetet kandidate për anëtarësim në BE, të cilën simbolikisht mund ta quajmë “Black Friday Evropian”. Në rrethanat e sotme gjeopolitike, të karakterizuara nga konfliktet ndërkombëtare, rivalitetet mes fuqive të mëdha dhe pasigurinë globale, zgjerimi i BE-së nuk duhet të shihet vetëm si proces politik dhe ekonomik, por edhe si një investim strategjik në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit evropian. Kjo duhet të nënkuptojë krijimin e mundësive më të mira për përmbushjen e kritereve për antarsim nga ana e shteteve kandidate. Evropa ka nevojë për shtete kandidate të përgatitura për anëtarësim, ndërsa këto shtete kanë nevojë për një Evropë më të vendosur, më të besueshme dhe më të angazhuar ndaj zgjerimit të saj.

BE, shtetet kandidate dhe Black Friday

Nëse në tregti ekziston Black Friday, ku për një periudhë të caktuar ofrohen zbritje dhe lehtësime për blerësit, shtrohet pyetja pse Bashkimi Evropian nuk krijon një mekanizëm të ngjashëm për shtetet kandidate që synojnë anëtarësimin në gjirin e saj. Natyrisht, kriteret e anëtarësimit nuk janë produkte tregtare që mund të shiten me zbritje. Kriteret e Kopenhagës përfaqësojnë standarde themelore politike, juridike dhe ekonomike, të cilat çdo shtet kandidat duhet t’i përmbushë. Demokracia, sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike, respektimi i të drejtave të njeriut dhe ekonomia funksionale nuk mund të negociohen duke i ulur standardet. Megjithatë, Bashkimi Evropian mund ta shqyrtojë mundësinë e një qasjeje më fleksibile në zbatimin e këtyre kritereve. Kjo do të nënkuptonte mbështetje më të madhe financiare, teknike dhe institucionale, afate më realiste për realizimin e reformave dhe më shumë përgjegjësi të BE-së për ta bërë procesin e zgjerimit më efikas dhe më të besueshëm. Problemi qëndron edhe në faktin se disa shtete kandidate, edhe kur realizojnë reforma dhe përparojnë në përmbushjen e detyrimeve, vazhdojnë të përballen me pengesa dhe bllokada politike. Kështu, procesi i integrimit rrezikon të humbasë besueshmërinë dhe motivimin e qytetarëve të këtyre vendeve. Prandaj, BE-ja duhet të bëjë dallimin ndërmjet mosplotësimit të kritereve dhe pengesave politike që nuk varen domosdoshmërisht nga shtetet kandidate. Bashkimi Evropian nuk duhet të organizojë Black Friday për uljen e kritereve, por duhet të krijojë një politikë të re të drejtësisë, fleksibilitetit dhe meritokraci në procesin e zgjerimit. Standardet duhet të mbeten të njëjta për të gjithë, por edhe mundësitë për anëtarësim duhet të jenë të drejta dhe të barabarta për të gjithë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume