Në futboll, shpejtësia është një dhunti. Kur asaj i shtohen teknika, guximi në duele dhe instinkti për golin, lindin futbollistë që bëjnë diferencën. Një prej tyre është pa dyshim Xhan Totre, sulmuesi i krahut i Shkëndijës U17 shkruan Tetovasot.
Me shpërthimet e tij në krah, depërtimet që lënë pas mbrojtësit dhe aftësinë për të finalizuar, Totre është kthyer në një nga lojtarët më të rrezikshëm të kampionatit. Ai nuk pret që loja t’i vijë, por e krijon vetë atë, duke qenë vazhdimisht kërcënim për portën kundërshtare.

Xhani ishte pjesë e gjeneratës kampione të sezonit të kaluar, nën drejtimin e trajnerit Ismail Ismaili. Edhe këtë edicion ai vazhdon të shkëlqejë me skuadrën e drejtuar nga Taxhedin Kasami – Taki, e cila kryeson tabelën dhe po konfirmon forcën e saj javë pas jave.
Ajo që e bën edhe më të veçantë është fakti se ai vjen nga një familje ku futbolli është mënyrë jetese. Pasioni për topin është trashëguar dhe Xhani po e shndërron atë në rezultate konkrete në fushën e blertë.
Shkëndija vazhdon të prodhojë talente, ndërsa Xhan Totre është një nga emrat që premton shumë. Nëse vazhdon me këtë ritëm, nuk do të mbetet gjatë vetëm një protagonist i futbollit të moshave, por një emër për të cilin do të flitet edhe në skenën e futbollit profesionist.