Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë ka privuar nga liria gjithsej 248 persona të cilët drejtonin automjete pa pasur leje drejtimi. Aksionet e shpeshta dhe kontrollet e rregullta në terren kanë zbuluar një numër të lartë shkelësish, pothuajse të ndarë në mënyrë të barabartë mes dy rajoneve kryesore, 125 raste janë regjistruar në zonën e Tetovës, ndërsa 123 të tjera në zonën e Gostivarit.

Sipas njoftimit zyrtar nga SPB-Tetovë, ndaj të gjithë këtyre personave janë ndërmarrë masa të rrepta ligjore. Shkelësit janë privuar nga liria, ndërsa automjetet e tyre janë konfiskuar përkohësisht në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal.

Një statistikë pozitive për periudhën nga 1 janari deri më 30 shtator 2026 është se në territorin e SPB Tetovë nuk është shënuar asnjë aksident komunikacioni ku të kenë qenë të përfshirë shoferë pa leje apo persona nën moshën 18-vjeçare. Megjithatë, numri i madh i personave të ndaluar në timon pa dokumentacionin përkatës tregon se rreziku potencial në rrugë mbetet mjaft serioz.

Nisur nga këto shifra, SPB Tetovë ka bërë apel drejtuar veçanërisht të rinjve dhe prindërve të tyre, duke rikujtuar se siguria në rrugë është një përgjegjësi e përbashkët.

“Drejtimi i mjetit motorik pa të drejtë të fituar dhe pa trajnimin përkatës nuk përfaqëson vetëpohim apo provë pjekurie, por një rrezik serioz për jetën e vetë shoferit dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion,” thotë për Tetova1 zëdhënësi i SPB-Tetovë Fatmir Rexhepi.

Nga policia u bëjnë thirrje të rinjve që të mos ulen pas timonit pa përmbushur të gjitha kushtet ligjore dhe pa kaluar provimin e shoferit. Njëherësh, prindërve u kërkohet të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi më të madhe duke mos u besuar automjetet fëmijëve të tyre para kohe.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume