Protestat kundër qeverisë vijojnë edhe këtë të mërkurë, në ditën e 165-të të mobilizimit qytetar. Për këtë ditë është paralajmëruar një protestë kombëtare në Tiranë, ku pritet të marrin pjesë studentë dhe qytetarë nga disa qytete të vendit.

Tubimi është njoftuar të nisë në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit. Pas grumbullimit, protestuesit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të vijojë protesta.

Ndërkohë, studentët kanë nisur bojkotimin e mësimit për t’iu bashkuar mobilizimit. Studentë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, si dhe të Universitetit Politeknik, kanë braktisur auditorët dhe kanë nisur marshimin nën thirrjet “Dorëheqje”, me synimin për t’u bashkuar me studentët e fakulteteve të tjera.

Kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Gjatë marshimit, studentët kanë shprehur pakënaqësinë për situatën aktuale, duke kërkuar përgjegjësi dhe reagim.

Protesta e sotme zhvillohet ndërsa kryeministri Edi Rama ndodhet në Dublin të Irlandës, ku është pritur gjithashtu me protestë nga emigrantë shqiptarë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume