Deputeti Arbër Ademi do të jetë përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim në grupin punues të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshime kushtetuese. Sonte në mesnatë skadon afati që partitë dhe institucionet parlamentare të propozojnë përfaqësuesit e tyre në grupin punues për ndryshimet kushtetuese.

Ministria e Drejtësisë do të shpallë nesër përbërjen e grupit punues për ndryshimet në Kushtetutë. Afati i dhënë nga Ministria e Drejtësisë për institucionet dhe partitë politike në shkresën për të emëruar përfaqësuesin e tyre në grupin e punës skadon në mesnatë.

Sipas informacioneve të fundit, grupi punues duhet të ketë nga gjashtë deri në tetë ekspertë. Partitë politike dhe institucione të caktuara publike tashmë kanë bërë të ditur emrat e personave që do t’i përfaqësojnë.

LSDM sot në një konferencë për shtyp njoftoi se në grupin punues do të përfaqësohen nga Cvetanka Ivanova, sekretare aktuale e përgjithshme e Kuvendit dhe ish-deputete. Aleanca për Shqiptarët njoftoi se përfaqësues i partisë në grupin punues për ndryshime kushtetuese do të jetë deputeti Remzi Mehmedi. Sipas informacioneve përfaqësues të tij në grupin ka emëruar edhe Besa.

VMRO-DPMNE, Altenativa, e Majta, PSM dhe Lidhja Demokratike njoftuan këtë fundjavë se nuk do të marrin pjesë në grupin punues.

Në opinion janë bërë të ditur emrat e ekspertëve, por për momentin nuk ka informacion zyrtar se cili prej tyre do të jetë pjesë e këtij grupi punues. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se nuk do të shpallin emra deri në skadimin e afatit, sonte në mesnatë.