Sot (23 PRILL) në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Librit, e cila origjinën e idesë së përkujtimit të kësaj dite e ka në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. Jo vetëm në ditën e librit, por edhe gjatë ditëve tjera ka shumë arsye ose shkaqe pse duhet të lexojmë. Ne në jetën e përditshme po ushqehemi për ta mbajtur trupin tonë. Nga ana tjetër me anë të leximit ne ushqejmë trurin dhe shpirtin tonë. Sipas profesorit Hamiti, njeriu i cili flet dhe shkruan bukur ka mundësi që të jetë shumë më i suksesshëm në profesionin e tij pa marr parasysh se çfarë profesioni ushtron.

“Leximi i veprave, veçmas i veprave letrare na mundësojnë që ta shijojmë artin e gjuhës përkatësisht artin letrar. Na bën më kreativ dhe që të shkruajmë dhe që të punojmë ose që të mendojmë apo logjikojmë, që të marrim vendime më praktike në jetë.”, tha profesori universitar Asllan Hamiti.

Nuk mund të justifikohemi se nuk kemi kohë për të marrë një vepër letrare në dorë ose ndonjë libër nga lëmitë profesionale, thotë profesori Hamiti.

“Dinamizmi i jetës, përtacia dhe vrapimi pas të mirave materiale janë ndër faktorët kryesorë që të rinjtë tanë po lexojnë gjithnjë e më pakë vepra me vlerë. Të rinjtë tanë duan që të dinë pa lexuar. Të jetojnë punuar dhe të pasurohen pa investuar. Thjeshtë duan të kenë kokën bosh e xhepin plotë.”, u shpreh Hamiti.

Sipas profesorit Hamiti, mbajtja në dorë e mjeteve moderne të komunikimit dhe qëndrimi kohë të gjatë në rrjetet sociale mundëson lexim, por ai është i mangët dhe jo funksional.

“Të rinjtë tanë për nga sasia lexojnë thuajse çdo ditë, pasi çdo ditë i shohim me telefona në dorë, me tableta.Por ai lexim i tyre është i përciptë është i mangët, jo shumë funksional që nuk i plotëson ato si të thuash detyrat ose kriteret që i thamë më parë dhe në këtë mënyrë sikur pjesën më të madhe të kohës ose tërë kohën e kalojnë vetëm në rrjetet sociale duke lexuar gjëra të pa dobishme, të pa nevojshme të cilat nuk u hyjnë në punë.”, tha Hamiti.

23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com