Presidenti i zgjedhur i Malit të Zi Jakov Milatoviq bën betimit të shtunën. Ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri do të mbahet në parlamentin malazez në praninë e deputetëve dhe të ftuarve të shumtë nga rajoni dhe bota.

Në prag të dorëzimit të detyrës, presidenti në largim, Milo Gjukanoviq , mbajti të premten një konferencë për shtyp, duke bërë bilancin e rezultateve të vendit.
Zoti Gjukanoviq vuri në dukje, se “Mali i Zi u kursye nga shkatërrimet dhe vdekjet gjatë fushatës së NATO-s në RFJ, një vend i restauruar në mënyrë paqësore dhe i njohur ndërkombëtarisht 17 vjet më parë, i njohur si faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe anëtar i NATO-s që prej 6 vitesh”.

Gjukanoviq kritikoi punën e qeverive të Zdravko Krivokapiqit dhe të Dritan Abazoviqit .
“Këto qeveri destabilizuan thellësisht shtetin dhe shoqërinë, shkatërruan arritjet e vlefshme të zhvillimit ekonomik dhe institucional dhe vunë në pikëpyetje arritjen e qëllimit europian”, tha zoti Gjukanoviq.

Udhëheqësi shumëvjeçar malazez beson se qeveria e zgjedhur pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të marrë përgjegjësi dhe do të krijojë kushte për jetë normale politike në vend.

" "

Milo Gjukanoviq ka qenë shtatë herë kryeministër dhe dy herë president i Malit të Zi. Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale, ai dha dorëheqjen edhe nga kreu i Partisë Demokratike të Socialistëve.

Përkatësisht, pas tre dekadash në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve humbi në zgjedhjet e vitit 2020 nga një shumicë e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus dhe pro-serb, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA.

Gjatë pushtetit të tij, zoti Gjukanoviq ndërtoi marrëdhënie të mira me vendet e rajonit, përveç me Serbinë ku me Beogradin zyrtar, por edhe me Kishën Ortodokse Serbe u përkeqësuan në vitin 2019 pas miratimit të Ligjit për Lirinë e Fesë.

Presidenti i zgjedhur Jakov Milatoviq bën betimin të shtunën, në ditën kur i skadon mandati paraardhësit të tij dhe ceremonia e inaugurimit të presidentit të Malit të Zi do të mbahet në Parlamentin e Malit të Zi.