Partia Demokratike nuk do ta njohë dhe do ta kontestojë rezultatin e zgjedhjeve në ato bashki, për të cilat thotë se ka të dhëna që në qendrat e votimit u vendosën komisionerë në kundështim me ligjin.

“Nuk mund të njohim ne rezultatin e zgjedhjeve të dominuar nga komisionerë të paligjshëm në qendrat e votimit.”

Edhe në mbledhjen e Kryesisë në mesditën e kësaj të marte, kryetari Sali Berisha, ripërsëriti se zgjedhjet u blenë nga mazhoranca edhe nëpërmjet disa vendimeve të qeverisë, siç ishte pagesa për pensionistët prej 5 mijë Lekësh apo vendimi për rritjen e pagave për administratën publike.

“Kjo është hera e parë në histori që vota nuk blihet nën dorë, por haptas me 670 mijë zarfa, 50 mijë Lekë dorëzuar çdo pensionist shqiptar.”

Por kreu i demokratëve thotë se ka pasur një shumëllojshmëri faktorësh që u përdorën nga socialistët për të manipuluar zgjedhjet e 14 Majit, mes të cilave blerja e votës, përdorimi i makinerisë qeveritare dhe i bandave.

“Vendosi paqen midis 5 bandave kryesore të zonës. U vërsulën me në krye Bajrajt dhe me makina të blinduara i binin rreth e përqark Shkodrës duke ushtruar terror pranë qendrave të votimit. Qeveritarë dhe zyrtarë janë sjellë si terroristë elektoralë. Belinda Balluku arrin deri aty sa thërret vëllanë e kandidatit tonë në Mat dhe i thotë “ç’punë ke ti me fushatën elektorale.”

Berisha thotë se Partia Demokratike po bën një analizë të provave me ekspertë të saj për një manipulim të mundshëm të pajsjeve të votimit elektoral.

“Ka dyshime të forta që është ndërhyrë në algoritmin e makinerive.”

Kreu i demokratëve njoftoi se pasi të mblidhen provat e manipulimit, do të nisë beteja në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për të ankimuar rezultatin e 14 Majit.