U rikthye në politikë, Basha: Koha e reflektimit më shërbeu të shihja sesi ky sistem politik ka degraduar

Ish- kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim ditën e djeshme me të rinj demokratë.
Përmes këtij takimi, Basha dha sinjalin e rikthimit të tij në politikën aktive, ku la të kuptohej se e konsideronte mundësinë që të kandidonte për të qenë kryetar i Partisë Demokratike.
Ditën e sotme, Basha në një postim në rrjetet sociale shkruan se koha gjatë së cilës qëndroi larg ‘skenës’ të politikës aktive, i ka shërbyer për të parë qartë sesi sistemi politik ka degraduar në një shfaqje që sipas tij ka në qendër problemet personale të politikanëve dhe jo shqetësimet e qytetarëve.
“Kjo kohë reflektimi më shërbeu të shihja edhe më qartë sesi ky sistem politik ka degraduar në një shfaqje që ka në qendër hallet e politikanëve, jo problemet e qytetarëve. Sherret, akuzat dhe baltosja nuk mund të jenë përgjigjja për sfidat e mëdha që ka Shqipëria. Më shumë se 70% të qytetarëve e ka refuzuar këtë teatër politik, që nuk ka asnjë zgjidhje për familjet shqiptare. Kjo shumicë e heshtur kërkon një ndryshim rrënjësor në politikbërjen e vendit, një ndryshim që patjetër mund ta sjellim të gjithë bashkë.”– shkruan Basha.