Komuna e Tetovës e largoi bilbordin e gjelbër i cili ishte vendosur në vitin 2017 për pastrimin e ajrit në qendër të qytetit. Ky investim i ambasadës gjermane kushtoi 25 mijë euro por, për shkak se nuk është furnizuar me ujë i njëjti u tha dhe u dëmtua. Komuna fajësoi pushtetin e kaluar për moskujdes ndaj eko-drurit dhe thotë se e kanë hequr për shkak se ka qenë jofunksional.

Ambientalisti Arijanit Xhaferi thotë se komuna shumë pak bën për ekologjinë dhe jo rastësisht Tetova në të shumtën e rasteve është qyteti më i ndotur në botë.

“Problemet ekologjike vazhdojnë të jenë në Tetovë herë pas herë edhe shumë të mëdha. Jo vetëm shoqata jo vetëm ministria e mjedisit por, edhe komunat duhet të kenë politika se si të plotësojnë mjedisin në qytet duke mbjellë sa më shumë hapësira të gjelbra, shndërrimin e hapësirave publike në park. Si për shembull kazermën e Tetovës në shndërrimin në park të qytetit, funksionalizmin e plotë të transportit publik, me çka do dekurajohen njerëzit që të marrin veturat personale dhe do merrnin autobusët. Hapjen e shtigjeve për biçikleta që mos përdoren automjetet, pasi që automjetet janë nga ndotësit më të madhej”, tha ambientalisti Arjanit Xhaferi.

Sipas Xhaferit në Tetovë ndërtesat nuk duhet të jenë më të lartë se pesëkatëshe.

“Çfarëdo angazhimi deklarativ i njërit ose i tjetrit se përkujdesët për qytetarët, ndërkohë lejojnë ndërtime pa leje ose ndërtime shtatëkatëshe janë fjalë boshe dhe gënjeshtra sepse, ata po e përkeqësojnë dhe rrezikojnë shëndetin e qytetarëve të tyre”, shtoi Xhaferi.

Ndotja tani për tani është stabile , por gjatë dimrit edhe në pranverë , Tetova ka pasur ditë kur ka qenë ndër pesë qytetet më të ndotura në Botë.