Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shpreson për qasje më të balancuar të Bashkimit Evropian në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Pas takimit me shefin e NATO-s, Osmani tha se ka pasur momente kur BE nuk ka treguar balanc. Ndërsa nga të dy përmend edhe çështja e forcave speciale të dërguara në veri, për çka Stoltenberg tha se çdo zbarkim i ri i forcave speciale kërkon pajtimin e KFOR-it.

Nga selia e NATO-s në Bruksel, Osmani theksoi se lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga ana e Serbisë është shumë e gjatë.

“Kosova ka qenë gjithmonë pala konstruktive. Fatkeqësisht, e vetmja palë konstruktive në këtë proces. Fatkeqësisht lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga ana e Serbisë është shumë e gjatë. Nuk dua thellohem aty, por më duhet të them që shpresat tona janë që do të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit të BE-së, si parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur momente kur nuk e kemi parë këtë balanc dhe do të doja t’i bëja thirrje gjithë partnerëve, aleatëve tanë që të sigurojnë këtë lloj balanc-peshe, që të sigurojnë parim të barazisë së plot dhe pozicionimit të njëjtë të palëve në proces, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme dhe rezultate që me të vërtetë kontribuojnë për paqe dhe siguri dhe stabilitet në rajon”,deklaroi Osmani.

Sa i përket koordinimit me aleatët e NATO-s, kryetarja e shtetit garantoi se gjithmonë ka punuar për të siguruar se ka koordinim të plot mes institucioneve të Kosovës dhe pranisë së KFOR-it në Kosovë. /