Edhe Milani, edhe Interi mund të përballen me dënime të ashpra, derisa në rastin më të keq mund të shkojë në përjashtim të dy klubeve nga Serie A.

Kjo varet nga një hetim i Federatës Italiane të Futbollit rreth arrestimeve të sotme të ultrasve të dy klubeve.

Raportimet e ditës së hënë nga Italia kanë bërë me dije se janë arrestuar 19 persona, ku janë të përfshirë edhe tifozë ultras nga dy anët, edhe nga Interi edhe nga Milani.

Hetimet filluan në fillim të muajit shtator, kur u vra Antonio Bellucco, një nga liderët e grupit “Curva Nord Inter”. Për këtë ngjarje u arrestua anëtari i këtij grupi, Andrea Beretta.

Disa nga krimet e dyshuara që po hetohen janë marrja me dhunë e parave të biletave dhe pijeve në stadium, e që shkojnë deri te krimi i organizuar dhe mafia.

Sipas “La Reppublica” dhe “Calciomercato”, prokuroi i Federatës Italiane të Futbollit, Giuesspe Chine ka kërkuar çasje në dokumentat, të cilat dërguan deri te arrestimi i tifozëve ultras nga Prokuroria e Milanos.

Raportimet më tej thonë se qëllimi i kësaj kërkese është që të mësohet nëse Milan apo Inter janë të përfshirë në këtë ngjarje, e që kjo mandej hyn në juridiksionin e Federatës së Futbollit.

Ligjet e Federatës Italiane të Futbollit e specifikojnë se asnjë anëtar ose ekzekutiv nuk është i lejuar të ketë marrëdhënie me grupe që nuk kanë marrëveshje me klubin.

Nëse Milani e Interi mësohet se kanë lidhje me këto grupe të paautorizuara mund të dënohen 20 mijë euro, derisa në rastin më të keq mund të shkojë deri në diskualifikim nga liga.