Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e balancuesit, por nga ana tjetër, taktizimi për shtyrjen e seancës për shqyrtimin e dispozitave të ligjit të gjuhëve me arsyetimin e ndjeshmërisë së situatës, prej ditësh nxit debate mes partive politike dhe ekspertëve, mbi veprimet e fundit të institucionit më të lartë, Gjykatës Kushtetuese.

ALSAT mëson se Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminim është duke e ndjekur me vëmendje të shtuar situatën, jo vetëm lidhur me vendimin e fundit të Kushtetueses, balancuesin, por edhe argumentet e rreshtuara në këtë rast nga gjykatësit përbërës.

Të kontaktuar nga ALSAT, nga ky institucion na siguruan se çështja është adresuar tashmë:

“Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi është duke ndërtuar qëndrim rreth çështjes së balancuesit si masë afirmative dhe mekanizëm për realizimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të entiteteve të ndryshme shoqërore në institucione dhe organe shtetërore. Në fillim të javës se ardhshme qëndrimi zyrtar i Komisionit rreth balancuesit do të shpallet publikisht”.

Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi është një nga organet që e bazon veprimtarinë e tij pikërisht mbi mosdiskriminim, dhe si një organ i pavarur dhe profesional që u përgjigjet nevojave të qytetarëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre, ka si mision nxitjen e ndryshimeve pozitive për barazi thelbësore, promovimin e të drejtave të njeriut dhe eliminimin e të gjitha llojeve të diskriminimit.

ALSAT mëson se kryetari i këtij komisioni, Limko Bejzarovski pritet ta shpalosë vendimin e këtij komisioni, ditën e martë në kuvend.

Avokati i Popullit, si përgjegjës për monitorimin e përfaqësimit të minoriteteve, e cilësonte vendimin për ALSAT si politik.

Edhe vetë anëtari i Kushtetueses, Osman Kadriu e quajti antikushtetues vendimin, madje shkoi më tej duke kërkuar parim Badenter në këtë institucion.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume