Kreu i grupit rebel Hayat Tahrir al Sham (HTS) ka folur për herë të parë për një media perëndimore, që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad duke thënë për Sky News se bota nuk duhet të ketë frikë nga qeveria e re siriane.

Abu Mohammed al Jolani tha se nuk do të ketë “kthim në panik”. I pyetur nga redaktori ndërkombëtar i Sky, Zein Ja’Far se cili është mesazhi i tij për vendet e huaja, lideri rebel tha se “frika e tyre është e panevojshme, në dashtë Zoti”.

“Vendi do të rindërtohet. Frika ishte nga prania e regjimit. Vendi po shkon drejt zhvillimit dhe rindërtimit, po shkon drejt stabilitetit”, shtoi Jolani.

Udhëheqësi i HTS ka dhënë prononcimin e tij jashtë xhamisë Imam al Shafi’i në Damask, në të cilën ai ishte falur që kur ishte djalë i ri. Jolani tha gjithashtu se populli sirian është “i lodhur nga lufta” dhe nuk është gati për një tjetër.

“Burimi i frikës sonë ishte nga milicitë iraniane, Hezbollahu dhe regjimi që kreu masakrat që po shohim sot. Pra, largimi i tyre është zgjidhja për Sirinë. Situata aktuale nuk do të lejojë rikthimin në panik“, nënvizoi ai.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume