Prokuroria Publike e Shkupit tha të hënën se katër personat e arrestuar një ditë më parë në askione të ndara, akuzohen për planifikimin dhe kryerjen e sulmeve terroriste në Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera.
Gjykata e Shkupit urdhëroi një muaj paraburgim për katër të dyshuarit.
Çfarë dihet për të dyshuarit?
Ata u arrestuan më 15 dhjetor dhe autoritetet maqedonase ende nuk e kanë publikuar identitetin e të dyshuarve.
Por, është bërë e ditur se tre nga të arrestuarit janë nga Gostivari, një qytet në perëndim të Maqedonisë së Veriut, ndërsa i katërti nga Struga, një qytezë në rajonin jugperëndimor të vendit.
Sipas informacioneve të para, të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut (MPB), njëri nga të arrestuarit është një 21-vjeçar, i cili dyshohet se në fillim të këtij vitit e kishte krijuar një “qelizë terroriste bazuar në ideologjinë” e Shtetit Islamik, IS.
Tre të arrestuarit e tjerë dyshohet se i kanë bashkërenduar aktivitetet në mënyrë aktive për të kryer “sulme terroriste ndaj civilëve dhe objekteve publike”.
“Kemi prova në drejtim të dyshimit të bazuar se këta persona, kanë vepruar me qëllim që, në të ardhmen ,të organizojnë ngjarje të padëshiruara, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e Maqedonisë [së Veriut] dhe të shteteve tjera. Qëllimi i tyre ishte të indoktrinonin, rekrutonin njerëz të tjerë nga Ballkani, të cilët mund të vepronin në përputhje me qëllimet e tyre”, tha të dielën ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Ai shtoi se, të arrestuarit, së bashku me njerëz të tjerë jashtë Maqedonisë së Veriut, janë vëzhguar për një periudhë të gjatë nga organet vendase të sigurisë, në bashkëpunim me organizatat partnere ndërkombëtare, me të cilat është koordinuar ky operacion.
Të dyshuarit, sipas MPB-së, kanë krijuar edhe grupe në rrjetin social Telegram, ku kanë shpërndarë materiale propaganduese të IS-it, si dhe kanë ndarë udhëzime për prodhimin e mjeteve të improvizuara shpërthyese.
Ata dyshohet se kanë tentuar të blejnë edhe armë si dhe kanë inkurajuar individë të tjerë të kryejnë sulme në Evropë.
Profesori i drejtësisë në Universitetin e Tetovës, Bashkim Selmani, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se një nga veprat më të rënda në Kodin e Procedurës Penale të Maqedonisë së Veriut është ajo që lidhet me terrorizmin, elementët e të cilit, sipas tij, mund të jenë “të natyrës kombëtare dhe ndërkombëtare”, në varësi të dilemave, indiceve dhe dyshimeve për një rast të tillë.
Ai theksoi se në Maqedoninë e Veriut nuk mund të flitet për organizata terroriste, përveç nëse ato janë të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me struktura ndërkombëtare që funksionojnë jashtë vendit, dhe mund të përfshijnë shtetas të Maqedonisë së Veriut.
“Kur e dimë rolin dhe pozitën e policisë së vendit, ngremë dilema për arsye se, edhe në të kaluarën, ka pasur vepra penale të terrorizmit, por të njëjtat nuk janë dëshmuar si të tilla. Prandaj, mendoj se ndodhemi në një fazë paraprake, ku ne nuk mund të flasim drejtpërdrejt për çështjen, pasi aktualisht nuk ka pasur asnjë veprim publik dhe mendoj se nuk ka organizata terroriste në Maqedoninë e Veriut”, tha Selmani.
Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënime të ashpra për veprat penale që lidhen me terrorizmin.
Personat që krijojnë ose udhëheqin grupe terroriste mund të dënohen me burgim të përjetshëm, ose me dënim të caktuar deri në 40 vjet.
Pjesëmarrja në grupe terroriste mund të dënohet me burgim të caktuar deri në 10 vjet.
Financimi i terrorizmit mund të çojë në dënime deri në 10 vjet burg, ndërsa personat që rekrutojnë ose trajnojnë individë për aktivitete terroriste mund të dënohen me burgim të caktuar deri në 10 vjet./REL