Si do t’i bind VLEN-i për “Akademinë Shqiptare”? Limani: Mos të paragjykojmë, të presim se çfarë do të ndodhë
Komunat që drejtohen nga kryetarë që jenë pjesë të VLEN-it, janë të vendosura se do të ndajnë mjete për Akademinë Shqiptare. Edhe përkundër paralajmërimeve të VMRO-DPMNE-së, LSDM-së e madje edhe BDI-së, se nuk do ta mbështesnin me votë në këshillat komunalë ndarjen e mjeteve për Akademinë, kryetari i Gostivarit Valbon Limani, tha të pritet deri në janar dhe të mos paragjykohet se kjo nuk do të gjejë mbështetje.
“E kam biseduar me kryesuesin e këshillit, z.Amik Durmishi, që ai ta bisedojë me këshilltarët dhe besoj se së shpejti do të kemi një ‘feedback’ se si mendojnë këshilltarët në Këshillin komunal të Gostivarit, pastaj do të shohim të ndërmarrim masa të nevojshme.
TV21: Çka nëse nuk e mbështesin, siç kanë paralajmëruar?
“Të mos paragjykojmë se çka do të ndodhë, të shohim se si do të veprojnë ato, pastaj do të shohim se çfarë veprimesh do të ndërmarrim ne”, u shpreh Valbon Limani – kryetar i Komunës së Gostivarit.
Limani nuk tregoi konkretisht sa para është e gatshme të ndajë Komuna e Gostivarit për Akademinë Shqiptare, pasi siç shtoi, janë duke bërë një përllogaritje për të cilën të gjithë do të ishin dakord. Po nga ana tjetër, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, tregoi se tashmë janë marrë vesh se do të ndajë Komuna e Tetovës.
“Në bazë të një marrëveshjeje paraprake mes akademisë dhe katër komunave që morën përgjegjësi për financim, jemi dakorduar që Komuna e Tetovës do të përkrahë me diku 40 mijë euro”, tha Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.
Dy komunat e tjera që janë pajtuar me idenë për të ndarë mjete për Akademinë Shqiptare janë ajo e Çairit dhe Zhelinës, por pritet që kontributi i tyre financiare të jetë më e vogël se i Gostivarit dhe Tetovës.
Përndryshe, kryetari i VMRO-DPMNE dhe ai LSDM, më herët kanë treguar se nuk pajtohen me këtë lloj financimi. Mickoski me arsyetimin se “nuk do të donte që paratë e qytetarëve të shpenzohen për organizata joqeveritare”, ndërsa Filipçe duke thënë se është kundër ndarjeve etnike dhe se LSDM nuk përkrah paralelizëm në institucione. BDI nuk e mbështet idenë me arsyetimin se mënyra e paralajmëruar për ngritjen e kësaj Akademie Shqiptare është devalvim, pasi plani është që ajo të figurojë si organizatë joqeveritare dhe jo si institucion shtetëror.