Prokuroria e Strugës ka lëshuar një Urdhër për zhvillimin e një hetimi ndaj një personi, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepra penale – Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar me armë dhe lëndë shpërthyese, sipas nenit 396, paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 3, si dhe Falsifikim të armëve të zjarrit, sipas nenit 396-a, paragrafi 1 të Kodit Penal, njofton Prokuroria.

I dyshuari, një 28-vjeçar nga fshati Llozhan, në shtëpinë e tij mbante në mënyrë të paautorizuar armë dhe municion të ndaluar për qytetarët dhe për të cilat nuk mund të merret leje për posedim. Gjatë kontrollit, policia i gjeti një pushkë automatike me kundaç druri dhe një karikator me 14 plumba për armë automatike.

Përveç kësaj, i dyshuari kishte falsifikuar shenjat e pushkës duke fshirë dhe shkatërruar numrin serik të saj.

Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Strugës një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, duke vlerësuar se ekziston një rrezik real për arratisje dhe mundësia që i dyshuari të pengojë procesin duke ndikuar te dëshmitarët nëse mbrohet në liri, njofton Prokuroria.