Në ditën e sotme, më 9 shkurt 2015, në selinë e LSDM-së, shpërthyen “bombat” e para me çka nisi projekti “E vërteta për Maqedoninë” që tronditi skenën politike në Maqedoni.

“Nga sot LSDM-ja dhe opozita nisin projektin “E vërteta për Maqedoninë”. Qëllimi është që ta kthejmë lirinë dhe demokracinë në Maqedoni, t`i kthejmë vlerat evropiane” – deklaroi lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev.

LSDM-ja pohoi se bisedat e përgjuara telefonike janë dëshmi për përgjimet e jashtëligjshme të rreth 26.000 qytetarëve – opozitarëve, gazetarëve, gjykatësve, prokurorëve, biznesmenëve, deputetëve, ministrave, akademikëve, liderëve fetar dhe përfaqësuesve të OJQ-ve.

Në press-konferencën e parë u publikuan biseda ku aktori kryesor ishte pikërisht Zoran Zaevi, kur opinioni për herë të parë ishte dëshmitar i përgjimeve sistematike, që më vonë do të rezultojë me krizë të thellë politike dhe një sërë ngjarjesh që ndryshuan realitetin politik në Maqedoni.

Projekti “E Vërteta për Maqedoninë” zgjati me muaj, duke publikuar me qindra biseda të përgjuara, që shkaktuan protesta, kthesa politike dhe në fund rezultuan me zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ndryshimin e pushtetit më 2017.

Dhjetë vite më vonë, publikimi i “bombave” mbetet një nga ngjarjet më kontraverze dhe më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë. Pasojat e kësaj afere rezultuan me;

-Prokurorinë Speciale Publike, që hapi hetime për raste e implikuara me përgjimet

-Dorëheqjen e Kryeministrit Nikola Gruevski

-Ndryshime politike dhe rënien e pushtetit të VMRO-DPMNE-së në vitin 2017

-Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimin e emrit të shtetit.

Edhe pse “bombat” zbuluan keqpërdorime të shumta, trashëgimia e tyre mbetet temë e debateve – nëse u shfrytëzuan plotësisht për reforma ose ishin vetëm mjete për përballje politike.

Por, një gjë mbetet e sigurtë! 9 shkurti 2015 mbetet data që shënoi nisjen e një ndër epokave më turbulente në politikën e Maqedonisë. /tvklan.mk