Ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës rriten, Rusia vazhdon të sulmojë qytetet e Ukrainës. Granatimet ruse gjatë natës vranë një person dhe plagosën dy të tjerë në qytetin lindor të Ukrainës, Kramatorsk dhe forcat ruse sulmuan Ukrainën me 79 dronë, sipas zyrtarëve.

“Kramatorsk iu nënshtrua bombardimeve armiqësore – një lagje banimi”, tha kryetari i qytetit Oleksandr Goncharenko. “Një djalë i lindur në vitin 2006 është vrarë”, ka shkruar ai në Telegram, duke shtuar se janë plagosur edhe një burrë dhe një grua.

Njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës shkatërruan 63 nga 79 dronët rusë që sulmuan gjatë natës në disa rajone të Ukrainës, tha forcat ajrore të vendit.

Një sulm me dron rus në qytetin Zaporizhzhia në Ukrainën jugperëndimore plagosi një civil, tha guvernatori i rajonit më të gjerë Zaporizhzhia, qendra administrative e të cilit është qyteti.

Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, ka thënë se sulmet ndaj Ukrainës do të vazhdojnë derisa të arrihet një marrëveshje për ndalimin e luftimeve, e cila është e pranueshme për Moskën.