Një avion i ushtrisë serbe “CASA C-295” me katër mjekë dhe katër teknikë mjekësorë ka fluturuar nga Beogradi në Maqedoni për evakuimin mjekësor të të lënduarve në aksidentin tragjik në Koçan, njoftoi të dielën në mbrëmje Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, raporton TS.

Me këtë avion është planifikuar evakuimi i 12 pacientëve, të cilët do të trajtohen në Akademinë Mjekësore Ushtarake (MMA) në Beograd dhe në Qendrën Klinike të Serbisë.

Dy pacientë të cilët tashmë janë transportuar nga Maqedonia me autoambulanca ushtarake po trajtohen në Spitalin Ushtarak në Nish dhe në Qendrën Klinike në Nish, ndërsa tre pacientë të tjerë po transportohen me autoambulanca dhe do të përkujdesen në Akademinë Mjekësore Ushtarake.

Për të ofruar ndihmë për të lënduarit, dy mjekë nga Akademia Mjekësore Ushtarake, një kirurg plastik dhe një anesteziolog, si dhe dy teknikë mjekësorë do të qëndrojnë me kolegët e tyre në Maqedoni, thuhet në deklaratë.

Të paktën 59 të rinj, kryesisht të moshave 14 deri në 24 vjeç, humbën jetën nga zjarri që shpërtheu gjatë natës në diskotekën Pulse në Koçan, ndërsa 155 u lënduan./TS