Ka dështuar sërish, pas përpjekjes së 8 të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Kështu, Albulena Haxhiu, propozim i Lëvizjes Vetëvendosje këtë herë ka marrë 54 vota pro, nga 61 që duhen për t’u zgjedhur si kryeparlamentare.

Për shkak të moskonstituimit Kuvendi do të mblidhet edhe të enjten në orën 10:00.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar për mediat në Kosovë se Lëvizja Vetëvendosje po mban peng institucionet e Kosovës, duke shtuar se “kjo po iu kushton qytetarëve”. Bajrami e ka konsiderua turpshme që as të martën s’u konstituua Kuvendi.

Sipas Bajramit, kjo situatë politike u shndërrua në teatër. “Pengmarrja e institucioneve nga ana e Vetëvendosjes po iu kushton qytetarëve. Ata përballen me probleme të ndryshme e ato si adreson askush. Na vjen keq që në bazë të rezultatit dhe vullnetit tonë jemi pjesë e Kuvendit, por pa dashje jemi pjesë e këtij teatri që tashmë po besoj është bërë mjaft për secilin qytetar të Kosovës”, ka thënë Bajrami.