Manchester United ka marrë një fitore të thellë dhe shumë të rëndësishme në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Evropës, duke mposhtur Athletic Bilbaon me rezultat të pastër 0:3 në “San Mamés”.

Skuadra angleze dominoi në pjesën e parë, duke e zgjidhur praktikisht ndeshjen brenda 45 minutave të para. Ishte Casemiro ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 30-të pas një aksioni të mirë të “Djajve të Kuq”.

Vetëm pesë minuta më vonë, situata u përkeqësua për vendasit, pasi mbrojtësi Vivian u ndëshkua me karton të kuq direkt për një ndërhyrje, duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak.

United nuk humbi kohë për të përfituar nga epërsia numerike: në minutën e 37-të, Bruno Fernandes realizoi nga pika e bardhë e penalltisë për 0:2, ndërsa vetëm pak minuta më vonë, në kohën shtesë të pjesës së parë (45’), kapiteni portugez realizoi edhe golin e tretë të skuadrës.

Pjesa e dytë kaloi pa gola, me United që administroi rezultatin dhe me Bilbao që nuk arriti të kërcënonte seriozisht portën angleze. Fitorja 0:3 i jep Manchester United një avantazh të madh përpara ndeshjes së kthimit në “Old Trafford”, ku ata do të kërkojnë vetëm konfirmimin e finales.

Ndeshja e kthimit pritet të zhvillohet javën e ardhshme dhe Athletic Bilbao do të ketë nevojë për një mrekulli për të përmbysur këtë rezultat ndaj një United-i shumë të motivuar për trofeun evropian.