Mickoski: Për Taravarin kam mendim pozitiv, ai do të vendosë cilin opsion do ta zgjedhë, Qeveri reformash apo koalicion që për vite e kriminalizoi shtetin

“Po, takimi do të mbahet sot në orën 17:00 në Qeveri. Do të jetë takim ku do të bisedojmë me Taravarin rreth zhvillimeve politike aktuale”, tha Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske.
“Sa i përket aktiviteteve të tij aktuale si pjesë e Qeverisë, ne pothuajse çdo ditë komunikojmë. Sigurisht që kjo është pjesë e pashmangshme. Por, në përgjithësi do të doja të dëgjoj se si mendon për zhvillimet e fundit që janë të njohura për opinionin. Sipas mendimit tim, ka dy opsione për të zgjedhur. Njëra është ajo që e ofron kjo Qeveri – reforma, ndryshime, rezultate për qytetarët. Opsioni tjetër është ai që për më shumë se dy dekada e kriminalizoi shtetin, i shkatërroi institucionet dhe praktikisht e gjunjëzoi shtetin dhe qytetarët. Kjo është zgjedhja. Nuk ka opsion të tretë dhe do të doja nga z. Taravari të dëgjoj se cili është opsioni i tij, sepse unë nuk shoh një opsion të tretë”, tha Mickoski.
Mickoski theksoi se si njeri ka mendim pozitiv për Taravarin.
“Sa i përket marrëdhënieve të mia personale me Taravarin, ne në politikë kemi komunikuar prej shumë kohësh. Si njeri kam një mendim pozitiv për Taravarin, por në politikë fytyra është diçka që ose e ke ose nuk e ke, këtu nuk ka variante fluide, ose e mban fjalën, ose nuk e mban. Unë mendoj që në rastin konkret, të paktën tre herë kam treguar që e mbaj fjalën, edhe në momente kur ka pasur dilema brenda udhëheqësisë së partisë. Prandaj, lojërat prapa skene janë lojëra të tejdukshme, identifikohen dhe njihen lehtësisht dhe zakonisht u kthehen atyre që i bëjnë”, tha ai.
Mickoski deklaroi se Taravari dhe bashkëpartiakët e tij duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë të jenë pjesë e Qeverisë që ecën në rrugën e reformave dhe sundimit të ligjit, apo do të zgjedhin të koalicionojnë me forca politike për të cilat, sipas tij, vitet e kaluara e kriminalizuan shtetin.
“Nuk kam ndërmend të lus askënd, me apo pa Taravarin, Qeveria është stabile, e fortë dhe me shumicë të madhe, u mbetet atyre dhe bashkëpartiakëve të tij të vendosin. E përsëris, a do të ecim në rrugën e reformave, sundimit të ligjit, luftës për një shoqëri të drejtë dhe institucione që funksionojnë, apo do t’u bashkohen dhe do të koalicionojnë me ato forca politike që për vite e kriminalizuan dhe e shkatërruan shtetin. Zgjedhja është e tyre”, është decid Mickoski.