Vendimi i liderit të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, për të tërhequr partinë nga qeveria ka nxitur reagime të ashpra brenda vetë partisë.

Njëri nga themeluesit dhe anëtari i Kryesisë Qendrore të ASH-së, Latif Arifi, ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë si një akt të papërgjegjshëm dhe në kundërshtim me vullnetin e elektoratit.

“Vendimi i paralajmëruar dhe arbitrar i kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dhe një rrethi të ngushtë individësh, për të larguar partinë nga qeveria dhe për ta dërguar atë në përqafim të Ali Ahmetit, është një akt i papërgjegjshëm politik që shkel vullnetin e anëtarësisë së gjerë të partisë dhe besimin e 107.00 mijë qytetarëve që votuan për ndryshim.

Ky vendim i pakoordinuar me strukturat e partisë dhe me partnerët ndërkombëtarë, është një tradhti e hapur ndaj vlerave për të cilat Aleanca u themelua.

Fatkeqësisht, ajo që po ndodh sot në Aleancë është një përpjekje brutale për të dhunuar frymën e bashkëpunimit opozitar dhe për të minuar besimin qytetar të fituar me shumë mund në zgjedhjet e fundit, të gjithë atyre shqiptarëve që u ngriten në këmbë kundër kapjes së shtetit, kundër pushtetit autokratik të BDI-së dhe kundër sistemit të tyre korruptiv.

Askush nuk ka të drejtë të kontrabandojë vullnetin e votuesve dhe të aktivistëve që dhanë gjithçka për të sjellë një realitet të ri politik për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Kjo sjellje është e papranueshme .

Aleanca për Shqiptarët nuk është parti e një njeriu, e aq më pak e një grupi që punon kundër frymës së saj. Aleanca është kauzë, betejë për drejtësi, për ndryshim dhe për liri. Ajo do të vazhdojë rrugën e saj, në frymën dhe vizionin e Arben Xhaferit.

Kushdo që e ndjen veten më afër BDI-së sesa ndryshimit që e kërkoi populli, le ta ndjekë rrugën e Ali Ahmetit. Por aktivisti i sinqertë i Aleancës do të qëndrojë në anën e qytetarëve që kërkojnë luftë kundër korrupsionit, zhvillim dhe një të ardhme dinjitoze për shqiptarët”, ka reaguar Latif Arifi, njëri nga themeluesit dhe anëtari i Kryesisë Qendrore të ASH-së.