Hill është një relike e epokës së Jugosllavisë. Kosova është prova e gjallë e epokës së drejtësisë. SHBA nuk ka luksin të dëgjojë të kaluarën në një moment kur e ardhmja kërkon vendime të qarta.

Në këtë fazë të re, është e qartë se ndërhyrja e SHBA-së në dialogun Kosovë–Serbi nuk do të jetë më e drejtëpërdrejtë, siç ishte në dekadën e parë pas luftës, kur përfaqësuesit amerikanë udhëhiqnin proceset me ndikim të plotë dhe vendimmarrës. Tani ajo do të jetë një ndërhyrje indirekte — përmes instrumenteve të diplomacisë multilaterale, në bashkërendim me Bashkimin Evropian, përmes mbështetjes së akterëve lokalë, por gjithmonë duke ruajtur kontrollin strategjik mbi drejtimin e përgjithshëm.

Kjo qasje e re kërkon më shumë maturi dhe vigjilencë, sidomos për të shmangur interpretimet e gabuara që mund të krijojnë iluzione në Serbi për dobësim të linjës amerikane në rajon.
Deklarata e ish-ambasadorit amerikan në Serbi, z. Christopher Hill, se SHBA nuk do të ndërhyjë më si më parë në çështjen e Kosovës, nuk është vetëm një devijim i rëndë nga qëndrimi strategjik i SHBA-së, por një përpjekje për të zbehur partneritetin mes SHBA dhe Kosovës.

Zëri i Hill nuk është zëri i Shtëpisë së Bardhë. Është jehona e një diplomati në pension, që ende endet në koridoret e kujtimeve të tij në Beograd. Ironia është se Hill, që nuk ka artikuluar kurrë një qëndrim serioz për luftën në Ukrainë, tani pretendon të japë mend mbi Kosovën — një terren ku SHBA ka ndërhyrë realisht, fuqimisht dhe historikisht.

Politika e jashtme amerikane nuk përcaktohet nga diplomatë nostalgjikë që kujtojnë ditët e qetësisë së tyre në Beograd. Ajo ndërtohet mbi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Zyrën Ovale dhe aleancat euroatlantike. SHBA nuk mund të përfaqësohet nga zëra të vetmuar që lëshojnë deklarata të papërgjegjshme në një moment kur Ballkani ka nevojë për qëndrueshmëri.

Absurditetit është përpjekja që disa qarqe perëndimore – përfshirë zëra si Christopher Hill – të paraqesin Serbinë si një vend që po e ndihmon Ukrainën. Ky është një mashtrim i pastër diplomatik. Serbia nuk e ka ndihmuar Ukrainën. Serbia ka ndihmuar Rusinë — dhe këtë e ka bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë e të heshtur:

Serbia ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Ka lejuar fluturimet dhe trafikun ekonomik rus në Ballkan nëpërmjet territorit të saj.

Ka nënshkruar marrëveshje të reja energjetike me Rusinë edhe pas agresionit në Ukrainë.

Lejon dhe mbështet propagandën ruse në mediat shtetërore të Beogradit.

Në vend që të mbajë një qëndrim moral ndaj agresionit rus, Serbia i ka ofruar Moskës një platformë të heshtur për ndikim në Evropën Juglindore. E vetmja “ndihmë” që Serbia i ka dhënë Ukrainës është ajo e kamerave – një gjest teatral për të larë imazhin, por jo ndërgjegjen.

Të thuash se Serbia ka ndihmuar Ukrainën është si të thuash se një zjarrvënës po ndihmon zjarrfikësit sepse u ka dhënë ujë pas zjarrit që vetë e ka ndezur.

Kosova është kryevepra e ndërhyrjes morale dhe strategjike të SHBA-së.

Ndryshe nga Serbia që luan në të dyja anët e fushës, Kosova është partneri i pastër i Perëndimit. Kosova është ndërtuar mbi idealet e lirisë, ndërhyrjes humanitare dhe ndërtimit të paqes. Nëse SHBA e braktis Kosovën, ajo nuk do të braktisë vetëm një shtet, por do të braktisë testin më të rëndësishëm të moralit të saj strategjik pas Luftës së Ftohtë.

Nëse SHBA tërhiqet, atëherë Serbia do të avancojë me mbështetjen e Moskës dhe Pekinit. Rusia do të flasë me armatim dhe kaos, Kina me kontroll ekonomik dhe Serbia me destabilizim të brendshëm në Kosovë. Është koha që SHBA të zgjedhë – të qëndrojë me partnerin e saj më besnik në Ballkan, apo të bie pre e manovrave të diplomacisë hibride të Serbisë.