Shkruan: Merxhan Jakupi
Në fillim të viteve 1900, kur ushtritë e Perandorisë Osmane ishin duke u tërhequr dhe kishin pësuar disfatë të thellë, forcat ushtarake serbe ishin vërsulur mbi vilajetet dhe trojet shqiptare.
Në katundet e Malësisë së Sharrit, të komunave të Tetovës dhe Prizrenit, filluan vrasjet masive, djegiet dhe gjenocidi ndaj popullsisë civile të pambrojtur.
Forcat ushtarake serbe dhe bullgare ishin rivale mes vete, duke garuar se cila prej tyre do të merrte më shumë territore shqiptare.
Pas vrasjeve dhe djegieve të katundeve, në këto vise shpërtheu edhe një pandemi, nga e cila humbën jetën shumë banorë për shkak të sëmundjeve dhe urisë.
Në vjeshtë të vitit 1912, katundi Veshallë u sulmua me artileri dhe u dogj nga forcat ushtarake serbe. Banorët civilë ishin arratisur nëpër male. Ushtria serbe, duke bastisur dhe djegur shtëpi, kishte vrarë disa pleq. Njëri prej tyre ishte HasanAbduramani.Sipas të dhënave, plaku më i moshuar i katundit, Hasani, kishte mbi 110 vjet. Thuhej se, pasi kishte mbushur 100 vjet, atij i kishin dalë dhëmbë të rinj.
Gjyshi im Feratirrefente se babaj tij abduramani u vra ne kumanovekunder forcave ushtarake serbe.
Gjyshi im, Ferati, rrëfente se babai i tij, Abduramani, ishte vrarë në Kumanovë në luftën kundër forcave ushtarake serbe. Ai kishte mbetur nën kujdesin e gjyshit të tij, së bashku me vëllain dhe motrat.
Gjyshi im rrëfente gjithashtu se etërit dhe paraardhësit e tyre kishin ardhur nga Çajani, një katund i rrethit të Kukësit. Disa fise dhe familje të krishtera të ritit katolik, si Gjini, Ukaj dhe Dodaj, pas konvertimit në Islam, ishin shpërngulur në këtë katund. Lagjet mbajnë ende emërtimet e këtyre fiseve.
Gjyshi Ferati rrëfente për historinë e këtij katundi dhe të katundeve fqinj të Malësisë së Sharrit. Në disa familje, shpesh vinin vizitorë nga veriu për të vizituar të afërmit e tyre. Këta vizitorë ishin në shumicë të krishterë, të ritit katolik.
Këto lidhje familjare, për shkak të ndjenjës së inferioritetit dhe komplekseve të identitetit fetar, me kalimin e kohës filluan të ndërpriten.

HANI I DY VËLLEZËRVE

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, shumica e malësorëve nga këto katunde, të cilët kishin shërbyer në ushtrinë osmane, u kthyen në vendlindje. Vëllezërit Mersim dhe Merxhan Jakupi kishin hapur një han përballë xhamisë në rrugën që lidhte aksin rrugor Shkup–Tetovë–Prizren–Shkodër.
Sipas pleqve të katundit, përveç hanit të vëllezërve Mersimit dhe Merxhanit, në atë zonë kishte edhe hane të tjera. Një tjetër han ishte edhe ai i Ajetit, i cili ndodhej në dalje të katundit, në aksin rrugor për në Prizren. Në këto hane kishin bujtur edhe krerët e Lidhjes së Prizrenit. Po ashtu, në këto hane “kurirët” dhe postierët e Perandorisë Osmane ndërronin kuajt dhe flinin në bujtinat e tyre.
Sipas të dhënave, nga ky katund kishte shërbyer edhe një korrier për bartjen e dokumenteve dhe arkivave të Lidhjes së Prizrenit.
Shpesh, udhëtarët që lëviznin me karvanë ndalonin për të bujtur në këto hane. Në hanin e vëllezërve Mersimit dhe Merxhanit, shpesh qëndronin gjithë natën duke luajtur bixhoz – kumar.
Sipas pleqve të katundit, një natë, gjatë lojës së kumarit, njëri nga udhëtarët kishte humbur të gjitha paratë. Fajdexhiu, i zemëruar, kishte nxjerrë koburen dhe kishte dashur ta vriste. Borxhliu i frikësuar ishte lutur: “Mos bre, burrë i dheut! Mos më vrit. Kam shtatë kalamaj. Kam tri motra… Zgjidh njërën, cilën të duash!”
Shpesh, te sokaku i Lurajve dhe Çukthit, rrinin veteranë dhe ish-zyrtarë të Perandorisë Osmane. Midis tyre dallohej Osman Çajani me shpatulla të gjera, i fuqishëm dhe çallmaxhi. I veshur me tirqidhe xhamadan të qëndisur prej sermi, mbante qystek dhe sahat xhepi të varur mbi xhamadan.
Ky veteran kishte qenë qatip në ushtrinë osmane, një nëpunës me dijeni për shkresa dhe gjuhë zyrtare. Ishte edhe RustemTopojani, që kishte qenë ushtar i Haxhi Qamilit. Po ashtu, në sokak qëndronin edhe dy burra të tjerë, që kishin qenë ushtarë të Esat Pashë Toptanit.
Këta veteranë shpesh ziheshin mes vete nëpër biseda. Disa thoshin se Dovleti do të kthehet dhe se Esat Pasha ishte për Shqipni! Njëri nga veteranët e ndërpriste menjëherë duke thënë se tradhtar ishte, e tjetri thoshte se Haxhi Qamili ishte për Babë Sulltanin, kundër kaurve e dushmanëve të fesë!”
Në hanin e djemve të Jakupit, Mersim dhe Merxhan Jakupit, një ditë kishte ardhur një dervish nga Malësia e Gjakovës.
Në atë mbrëmje ishin mbledhur burrat e katundit: plaku i katundit, imami, mezini, çaushi, dhe shumë të tjerë.
Dervishi ishte ulur në krye të tryezës si mysafir nderi. Shumica e burrave të pranishëm ishin veteranë të Babë Sulltanit.
Muhabet pas muhabeti, HaqifQafegjati iu drejtua Dervishit:“Baba Sheh, ne shqiptarët kishim vezirë, pashallarë, binbashë. Kemi pasë gjeneralë e princër shqiptarë në kohën e Dovletit. E tash na erdhi një kaur, e na u bë mbret i shqiptarëve!”
Baba Sheh, me një buzëqeshje nën mjekër u përgjigj: “Gegë e toskë, muslimanë… si kusht për t’u bërë mbret i shqiptarëve, Duka i Austrisë duhej me nderuar fenë dhe me u bë synet.” Kafeneja ishte mbushur me tym duhani. Kur u përmend fjala “synet”, shpërtheu një e qeshur. Baba Shehu, që kishte sens të hollë humori, shtoi: “Mbreteresha kishte lejuar që princi, e pastaj mbreti i shqiptarëve, të bëhej synet, por s’e kishte lejuar të bëhej musliman!”. Disa filluan të buzëqeshnin. RustemTopojani tha me të qeshur: “Po i pëlqejkanmbretreshës burrat muslimanë!”
Zeneli ia ktheu me shaka: “Ndoshta princesha ka qenë më parë në Stamboll, në sarajet e haremet e Sulltanit”.
Baba Shehu tha me zë të ulët: “Shqiptarët, more vëlla, dem baba dem… nuk kanë duruar kurrë as mbret, as krajl të huaj mbi krye!”
Kërceu ndërkohë Çaushi dhe e mori fjalën: “Pas dëbimit të Dovletit e Babë Sulltanit, frangi, allemanëtdhe inglizët duan me na fshi nga faqja e dheut. Duan t’ia ndajnë vilajetet tona junanistanit, serbistanit dhe bullgaristanit dhe t’i dëbojnë shqiptarët për në Turqi dhe Aarabistan”.
Myezini u ngrit nga shkëmbi dhe tha: “Të lumtë, Baba Sheh! Të bekoftë i Madhi Zot! Fjalët i ke si melhem për shpirtin”.
Imami mori fjalën, dhe në kafene mbretëroi heshtja: “Ne shqiptarët, në të ardhmen, do të kemi mbretërinë tonë. Kaurët dhe Europa shtrigë, pas dëbimit të Babë Sulltanit, tash duan t’i hedhin shqiptarët në det. Duan me na heq fenë, me na prishë prej rrënjëve! Në fund, këta qafira duan t’i rrënojnë e t’i fshijnë nga faqja e dheut të gjitha xhamitë, teqetë, hamamet. Të na kthejnë në fenë e të parëve, katolikë e ortodoksë”.
Në vesh, Zendeli i foli Imamit disa fjalë. Dukej sikur Shehu kishte pirë pak verë ose raki. Imami i bëri me shenjë me isharet, që të mos e fyente mysafirin.
HaqifQafëgjati, një ditë, i kishte treguar Imamit një ngjarje: “RustemTopojani, hoxhë, kishte shkuar në Gjakovë te Baba Shehu. Kishin pirë gjithë natën, ishin bërë tapë. Në mëngjes kishin shkuar të falnin namazin e sabahut!”

Imami kishte tundur kokën. Hoxha mbrojtës i këtij sarhoshi, që falej në safin e parë, e po na komenton hadithe, ajete të Kuranit, e flet për din e iman.
Imami i ulur pranë Babës Sheh dhe i tha Dervishit: “Le të lëmë pak politikën dhe situatat. Na trego pak për vizitën në Qabe. Unë kam bërë nijetin të shkoj në vendin e shenjtë, por nuk kam mundësi. S’kam para”.
Baba Shehu, me butësi, ia ktheu: “Ishallah Zoti ta bëftë minasip, e shkofsh në këtë vend të shenjtë!”.
Mamut Puka, burrë i sertë, me vetulla të trasha, i tha Dervishit: “Baba Sheh, sipas Kuranit, rakia dhe vera janë të ndaluara. Por unë vetë kam parë disa dervishë, pasi pinin raki e verë, shkonin e faleshin në xhami!”
Imami, i skuqur në fytyrë nga sikleti, u përpoq ta ndërpriste Mamutin, por në atë çast e mori fjalën vetë Baba Shehu: “E vërtetë është që rakia është e ndaluar, por vera është e lejuar, nëse pihet me karar, me kufi. Verë kanë pirë gjithë sulltanët e kalifët”.