Shaqir Fetai u bë simbol i një institucioni të uzurpuar nga politika, ndërsa heshtja e
teologëve dhe ftohtësia diplomatike shënojnë një krizë të thellë legjitimiteti
Nga Mr. Abaz Islami
Shaqir Fetai, në mënyrë të papritur por të mirëorkestruar, ka filluar të ndjehet mjaft komod në
pozitën e reisit të BFI-së, pozitë të cilën shumëkush e konsideron të uzurpuar përmes një puçi
klasik, të ndihmuar dhe mbështetur nga strukturat politike të ish-pushtetit. Qëndrimi i tij i qetë, i
pashqetësuar nga kritika apo kundërshtime serioze brenda trupës teologjike të vendit, është
shndërruar në një simbol të zymtë të një kapitullimi të heshtur të hoxhallarëve përballë
ndërhyrjeve të paprecedentë politike në punët e brendshme të institucionit më të lartë fetar islam
në vend.
Nga puçi institucional te legjitimiteti i humbur
Pyetja që natyrshëm shtrohet është: pse mungon reagimi i teologëve, pavarësisht zemërimit të
tyre të qartë ndaj skandaleve që përfliten rreth menaxhimit të Shaqir Fetait dhe degradimit të
pozitës së reisit në një zyrë protokollare pa peshë morale? Përgjigjja është po aq shqetësuese sa
edhe e thjeshtë: tashmë është bërë e qartë për të gjithë se modeli i emërimit të reisit në BFI ka
ndryshuar rrënjësisht. Nuk janë më teologët ata që vendosin, as strukturat e brendshme të
komunitetit, por gjithçka duket se është dorëzuar në tryezën e partive politike, veçanërisht asaj që
paraqitet si “myslimane” në pushtet. Kjo parti, në vend që të qëndrojë larg sferës fetare në
respekt të parimeve të ndarjes së fesë nga politika, është shndërruar në aktorin kryesor në
instalimin e figurave në krye të institucioneve fetare, duke e zhveshur këtë proces nga çdo
integritet dhe transparencë.
Situata aktuale në Bashkësinë Fetare Islame (BFI), ku Shaqir Fetai qëndron në krye të
institucionit si rezultat i një procesi thellësisht të kontestuar, është pasojë e një ndërthurjeje të
interesave të ngushta politike me mungesën e një reagimi të strukturuar nga brenda vetë
komunitetit fetar. Kjo situatë nuk ndodhi rastësisht, as papritur. Ajo u ndërtua gradualisht, duke
larguar nga puna figura më të rëndësishëm dhe më të ngritur profesionalisht, përmes dobësimit të
institucioneve të brendshme të BFI-së dhe instrumentalizimit të saj nga ana e pushtetit politik që
kishte nevojë për kontroll mbi një nga zërat më të rëndësishëm të opinionit publik në vend – atë
fetar.
Shaqir Fetai u promovua dhe u instalua në pozitën e reisit përmes një procesi që shumëkush e
cilëson si një puç të brendshëm, të ndihmuar drejtpërdrejt nga strukturat e ish-pushtetit, të cilat e
panë në të një figurë të manovrueshme dhe të gatshme për bashkëpunim. Ai nuk erdhi si rezultat
i një procesi zgjedhor të hapur, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në rregullat e Kushtetutës së BFI-
së, por përmes një operacioni të mbyllur që la anash legjitimitetin, transparencën dhe, më e
rëndësishmja, konsensusin e komunitetit teologjik. Që në atë moment, u krijua një precedent: që
kreu i institucionit më të lartë fetar islam në vend nuk zgjidhet më nga teologët, nga komuniteti i
hoxhallarëve apo nga organet përfaqësuese të besimtarëve, por nga pazaret dhe llogaritë e
politikës ditore.
Heshtja e teologëve – protestë morale apo dorëzim i rrezikshëm?
Në këtë sfond, mungesa e një reagimi të zëshëm nga ana e imameve dhe teologëve nuk është
shenjë aprovimi, por pasqyrë e një frike dhe lodhjeje të madhe. Shumica janë të vetëdijshëm për
devijimin që ka ndodhur, por janë gjithashtu të vetëdijshëm për pamundësinë reale për të
ndërmarrë hapa pa u përfshirë në një betejë të pabarabartë me mekanizmat politikë, që nuk
ngurrojnë të përdorin mjete të forta për të ruajtur kontrollin. Kjo heshtje është një lloj bojkoti
moral – refuzimi për të marrë pjesë në një farsë, por fatkeqësisht, është një qëndrim që i ka dhënë
avantazh palës tjetër, asaj që synon kapjen e institucionit për interesa të jashtme fesë.
Nga ana tjetër, nuk mund të anashkalohet edhe reagimi i heshtur por shumë domethënës i korit
diplomatik në vend. Asnjëherë më parë përfaqësitë diplomatike të shteteve perëndimore, të cilat
tradicionalisht kanë mbajtur kontakte dhe komunikim të rregullt me udhëheqësinë e BFI-së, nuk
kanë qenë kaq të ftohta dhe të distancuara. Është një lloj izolimi diplomatik që nuk shpallet
zyrtarisht, por ndjehet qartë në mënyrën se si mungon çdo formë e bashkëpunimit serioz me
institucionin që dikur trajtohej si partner. Kjo ftohtësi nuk vjen rastësisht – ajo është reflektim i
mungesës së legjitimitetit moral dhe institucional të drejtuesit aktual, si dhe i dyshimeve për
implikime politike që bien ndesh me parimet e pavarësisë fetare dhe të sundimit të ligjit.
Pra, nëse kërkojmë përgjigje të sinqertë për pyetjen “kush e solli këtë situatë?”, ajo është e
shumëfishtë: e sollën politikanët që shkelën vijat e kuqe mes fesë dhe shtetit; e sollën disa
individë brenda BFI-së që pranuan të jenë pjesë e një pazari të ulët për interesa personale; dhe e
solli edhe pasiviteti i një trupi të lodhur teologësh që, edhe pse të vetëdijshëm për devijimin,
zgjodhën heshtjen për të mos u ndotur me baltën e politikës. Kjo heshtje kolektive, megjithëse e
kuptueshme, është bërë pengesë për rikthimin e rendit dhe për çrrënjosjen e një praktike që
rrezikon të institucionalizohet: atë të kapjes së fesë nga politika. Për ta ndryshuar këtë rrjedhë, do
të nevojitet jo vetëm kurajë morale dhe organizim i brendshëm, por edhe një ndërgjegjësim
publik më i madh se kjo çështje nuk është vetëm fetare, por thellësisht politike dhe shoqërore –
sepse cënon vetë parimet e demokracisë, të lirisë fetare dhe të ndarjes së pushteteve.
Kjo situatë e re ka sjellë një paralizë të frikshme morale tek hoxhallarët. Shumica prej tyre kanë
zgjedhur të heshtin, jo nga pajtimi me atë që po ndodh, por për shkak të refuzimit për të hyrë në
marrëdhënie të ndyta me partitë politike. Ata nuk duan të jenë pjesë e një loje të ndotur që ka
përfunduar në komprometimin e autoritetit të tyre fetar, dhe rrjedhimisht, heshtja e tyre është më
tepër një protestë e heshtur sesa një miratim. Por pikërisht kjo heshtje, përkundër motiveve të
pastra, i ka dhënë Shaqir Fetait një fushë të lirë veprimi për të forcuar pozitën e vet dhe për të
mbajtur një marrëdhënie të ngrohtë me strukturat politike në pushtet, sidomos pasi tashmë nga
radhët e qeverisë doli z. Arben Taravari, të cilin Shaqir Fetai e konsideronte armik të fesë dhe të
kombit!
Të ndalet shkatërrimi i dinjitetit të BFI-së
Ironia e gjithë kësaj është se tashmë precedentët janë vendosur. Nëse nesër një parti tjetër
politike, “myslimane” apo jo, vendos të imponojë një tjetër figurë të vetën në krye të BFI-së, nuk
do të ketë asnjë pengesë legjitime për ta bërë këtë. Sepse këtë derë e hapi vetë Shaqir Fetai, këtë
praktikë e institucionalizoi ai me heshtjen dhe bashkëpunimin e tij të hapur me politikën. BFI-ja
është shndërruar në një vend ku emërohen marioneta të interesave politike dhe jo figura me
autoritet fetar, moral dhe intelektual që burojnë nga vullneti i brendshëm i komunitetit islam.
Ky model është i rrezikshëm dhe i papranueshëm për një shoqëri që pretendon të jetë
demokratike dhe me institucione të pavarura. Prandaj, është koha që vetë subjektet politike, të
ndjeshme ndaj opinionit publik dhe ruajtjes së rendit kushtetues, të ndërhyjnë jo për të imponuar
njerëzit e tyre, por për ta ndaluar këtë praktikë që po i shkatërron themelet e institucioneve fetare.
Ato duhet të kërkojnë nga teologët e vendit që të organizohen, të mbështeten fuqimisht në
Kushtetutën e BFI-së dhe në rregulloren e saj të zgjedhjeve, duke rikthyer procesin e
përzgjedhjes së udhëheqësve fetarë në binarët e vet të ligjshëm, moralë dhe fetarë. Vetëm në këtë
mënyrë mund të rikthehet besimi i besimtarëve në institucionin e tyre dhe mund të rifitohet nderi
i nëpërkëmbur i një komuniteti që meriton të udhëhiqet nga njerëz të denjë e të pavarur. Heshtja
nuk është më opsion. Heshtja po paguhet me çmimin më të lartë: shkatërrimin e dinjitetit të
institucionit më të rëndësishëm fetar në vend.