Pas vendimit të Kushtetueses – A do të kthehet numri i mëparshëm i këshilltarëve komunal për zgjedhjet 2025?

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e kategorizimit të popullsisë në “rezidentë” dhe “jorezidentë” paraqet një kthesë të rëndësishme jo vetëm nga aspekti juridik, por edhe politik dhe shoqëror. Ky vendim i referohet drejtpërdrejt metodologjisë së regjistrimit të popullsisë të vitit 2021 dhe hap një kapitull të ri në debatin për përfaqësimin e diasporës dhe për të drejta të barabarta për qytetarët, pavarësisht se ku jetojnë, shkruan PressOnline.al
Sipas arsyetimit të Gjykatës, kategorizimi i popullsisë si “rezidentë” dhe “jorezidentë” nuk ka pasur bazë ligjore. Akti nënligjor që përcaktonte këtë ndarje është vlerësuar si tejkalim i kompetencave nga drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, gjë që përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit. Me fjalë të tjera, ajo që ishte paraqitur si metodologji statistikore, në të vërtetë ishte një veprim pa mbështetje ligjore.
Ky vendim nuk e anulon drejtpërdrejt regjistrimin e vitit 2021, por vendos kufij të qartë për përdorimin e metodologjive të ngjashme në të ardhmen, duke ndaluar kategorizimin e qytetarëve sipas pranisë fizike në vend.
Deputeti nga Fronti Evropian, Skender Rexhepi, iniciues i kësaj nisme kushtetuese, e përshëndeti vendimin si një “fitore të diasporës”, duke e vlerësuar ndarjen si diskriminuese dhe përjashtuese.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, doli me kërkesë drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski që Qeveria të shfuqizojë vendimin e mëparshëm, i cili parashikonte uljen e numrit të këshilltarëve në bazë të numrit të qytetarëve të klasifikuar si jorezidentë sipas regjistrimit të fundit të popullsisë.
“Gjykata Kushtetuese në seancën e djeshme shfuqizoi disa dispozita nga metodologjia për realizimin e regjistrimit të popullsisë në vitin 2021. Gjykata konstatoi se drejtori i Entit Shtetëror për Statistika kishte tejkaluar kompetencat dhe me një akt nënligjor kishte bërë kategorizim të popullsisë në rezidentë dhe jorezidentë, për çka nuk kishte autorizim ligjor”, deklaroi Snopçe.
Sipas tij, në përputhje me këtë, vendimi i Qeverisë për uljen e numrit të këshilltarëve në komuna është i pavlefshëm.
“A do ta shfuqizoni në seancën e ardhshme të Qeverisë vendimin e mëparshëm dhe të rikthehet vendimi i mëparshëm për numrin e këshilltarëve? Logjikisht, nuk mund të përjashtohen jorezidentët, pasi vendimi për ta ndikon drejtpërdrejt në zgjedhjen dhe numrin e këshilltarëve”, pyeti Snopçe.
Ai gjithashtu theksoi se pesë muaj më parë kishte dorëzuar një kërkesë për interpretim autentik për këtë vendim të Qeverisë, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Në përgjigje të pyetjes, kryeministri Mickoski theksoi se në regjistrimin e fundit, për popullsinë jorezidente nuk kishte adresë, por ishte klasifikuar si e tillë. Ai theksoi gjithashtu se ndryshimet në numrin e popullsisë në komuna midis regjistrimit të fundit dhe atij paraprak kanë qenë të mëdha.
“Shpesh them se diaspora është pjesë e pandashme e karakterit unitar të Maqedonisë si shtet dhe për këtë arsye ju lutem si parti politike të mbështesni një njësi zgjedhore, e cila do të mundësojë diasporës të votojë”, deklaroi Mickoski.
Në regjistrimin e vitit 2021, janë regjistruar 1.836.713 persona si “popullsi rezidente”, ndërsa si “popullsi jorezidente”, pra ata qytetarë që qëndrojnë më shumë se 12 muaj jashtë vendit, janë regjistruar 260.606 persona. Për shkak se bëhet fjalë për një vendim shfuqizues, e jo anulues, Gjykata nënvizon se vendimi do të zbatohet nga momenti kur të publikohet në Gazetën Zyrtare (për aktet nënligjore që do të miratohen në të ardhmen), por nuk do të ketë fuqi prapavepruese për regjistrimin e realizuar në vitin 2021.(PressOnline.al)