Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e fundit ka miratuar vendimin që çon drejt zgjidhjes përfundimtare të problemit të shkollës në Nerovë, gjegjësisht çështjes pronësore që lidhet me ndërtimin e objektit të ri të shkollës së Nerovës.

Burime nga Qeveria bëjnë të ditur se ky vendim hap rrugën për përfundimin e procedurave ligjore dhe administrative, duke garantuar bazën e nevojshme për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës arsimore në këtë zonë.

Objekti i shkollës së re në Nerovë është ndërtuar nga fshatarët, me vetiniciativë, për shkak se, siç thonë, objekti i vjetër nuk i plotëson kushtet elementare. Por nga Komuna e Krushevës deklaruan se objekti është ilegal, ndërsa pritej që i njëjti të rrënohej. Me vendimin e qeverisë, pritet që të gjendet zgjidhje ligjore që do të mundësojë shfrytëzimin e këtij objekti nga nxënësit dhe mësimdhënësit.