Sot, së bashku po dëshmojmë një tjetër histori pozitive për ekonominë maqedonase. “Replek”, një nga simbolet e vazhdimësisë, cilësisë dhe profesionalizmit, në vitin që feston 80 vjetorin e ekzistencës, po bën një hap të ri, vizionar përpara.

Me bllokun e ri të prodhimit farmaceutik, “Replek” jo vetëm që po modernizon dhe automatizon procesin e tij të prodhimit, por gjithashtu po rrit kapacitetin për paketimin primar dhe sekondar të formave të ngurta farmaceutike me 25% të konsiderueshme. Kjo do të thotë teknologji e re, efikasitet më i madh, standarde më të larta, por edhe konfirmim i ri se vendi ynë ka potencial dhe kapacitet për rritje industriale.

Forca e një shteti nuk matet vetëm nga buxheti i tij, por nga guximi i popullit të tij për të investuar, krijuar dhe besuar në vend.

Ky investim ka një peshë të veçantë, sepse është vendas. Bëhet fjalë për kapital maqedonas, për një kompani maqedonase, për investim në të ardhmen e industrisë maqedonase. Në një kohë kur shpesh flitet vetëm për investime të huaja, sot këtu tregojmë se sipërmarrësit, vizionarët dhe biznesmenët vendas janë gjithashtu motori i zhvillimit.

Për këtë arsye, Qeveria mbetet e përkushtuar fuqimisht për të mbështetur kompanitë vendore. Jo vetëm si subjekte ekonomike, por edhe si nxitës të së ardhmes sonë. Strategjia jonë është e qartë: krijimi i një klime të favorshme biznesi, zvogëlimi i barrierave burokratike, mbështetja e zhvillimit, inovacionit, eksportit dhe rritja e vlerës së shtuar.

Ne besojmë se një ekonomi e fortë ndërtohet jo vetëm me kapital të huaj, por edhe me kujdes për kapitalin vendor – për secilin që ka vendosur të qëndrojë, të investojë, të krijojë këtu, në Maqedoni. “Replek” është shembull për këtë, një shembull që frymëzon dhe motivon.

Gjatë vitit të kaluar, vendi ynë ka shënuar rritje të prodhimit industrial, investime të reja, financa publike të qëndrueshme dhe projekte konkrete që e ndryshojnë jetën e qytetarëve. Sot, blloku i ri i “Replek”-ut është pjesë e asaj pamjeje – pamje e një Maqedonie që ndërtohet, që investon, që ecën përpara.

Prandaj sot, para të gjithëve ju, dua të shpreh urim të sinqertë për menaxhmentin, inxhinierët, farmacistët, teknikët dhe të gjithë të punësuarit në këtë kompani. Puna juaj nuk është vetëm një sukses teknologjik – ajo është edhe patriotizëm, edhe vizion, edhe përgjegjësi.

Në një kohë sfidash, pasigurie dhe turbulencash globale, jam i lumtur që Maqedonia ka kompani si “Replek”, që investojnë në vend. Kompani që janë forca e saj. Kompani që nuk kanë frikë të ecin përpara. Kompani që ndërtojnë.

Prandaj – urime për këtë investim. Urime për jubileun – 80 vjet që ekziston “Replek”. Qoftë kjo linjë prodhuese jo vetëm burim i barnave, por edhe shpresës, e ardhmes dhe besimit në ekonominë maqedonase.

Le të jetë e mbarë dhe të shohim edhe gjëra të bukura në të ardhmen.

Le të jetë me fat që edhe për gjëra të bukura të takohemi.