Është ndërprerë procesi gjyqësor kundër kryetarit të komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili ishte i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve. Prokurori publik është tërhequr nga ndjekja penale.
– Gjykata Themelore e Kumanovës, për shkak të interesit të publikut për procedurën në lëndën me numër K-115/24 kundër të akuzuarit M.D. nga Kumanova për veprën penale – keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare sipas nenit 353 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, njofton se më 1 korrik të këtij viti është marrë vendim me të cilin aktakuza refuzohet në përputhje me nenin 402 paragrafi 1 pika 3 të Ligjit për procedurën penale, për shkak se prokurori publik, me parashtresë të datës 30 qershor, është tërhequr nga aktakuza, njoftoi Gjykata Themelore e Kumanovës.
Aktakuza kundër Dimitrievskit ishte ngritur vitin e kaluar, pasi pronarë të disa kompanive ndërtimore kishin paraqitur kallëzim penal, duke pretenduar se nuk kishin marrë leje për ndërtimin e objekteve dhe kishin kërkuar kompensim prej tre milionë denarësh. Në seancat gjyqësore të mbajtura kohët e fundit, ata ishin ankuar për dëmet e shkaktuara nga pezullimi.
Kryetari i komunës, Dimitrievski, ka deklaruar se ai mbron interesin e qytetarëve të Kumanovës, pasi ndërtimi i kompleksit të banesave në zonën qendrore të qytetit, mes gjimnazit dhe ambulancës shkollore, do të cenonte cilësinë e jetës humane.