Shkruan: Arsim Sinani
Edi Rama zbriti në kalldërmet e Çarshisë së Shkupit, jo si kryeministër i Shqipërisë, por si garantues i vijës së vjetër të BDI-së. Me stilin e vet “Adidas”, e shtynte me ngulm përpara Bujar Osmanin, si simbol i trashëgimisë politike që dëshiron ta ruajë me çdo kusht. Por ajo që s’e kupton, apo bën sikur nuk e kupton, është se me logjikën e Kalit të Shemës, ai vetëm sa e thellon krizën mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Rama e mbrojti Artan Grubin edhe në mungesë fizike të tij – një figurë e përfolur, që sillet sipas një logjike i qetë diku pas grilave, diku mes vilave luksoze në Vlorë. Ky Artan Grubi i listës së zezë amerikane, i lidhur me emra si Mijallkov dhe me afera si plaçkitja e llotarisë, më gjason si të ishte një fantazmë politike që e dirigjon lojën nga jashtë. Ky nuk është më lidership i integritetit që Rama do të na e imponojë me autoritarizmin e tij, por një përzierje e ashpër e interesave të errëta me ndikim rajonal. Biznesi, burokratët, bllofet, llafet dhe interesat e mëdha, janë në zemër të kësaj miqësie, që u vulos me perden e zezë të SHBA-së. Po kjo sdo të thotë asgjë pasi ai erdhi për të ruajtur rënien e një brezi që shanset i pati, por që i dogji.
Rama nuk e kurseu as djalin e Rexhep Mejdanit – një ambasador që, ndryshe nga i ati, nuk përfaqëson asnjë parim republikan, por shërben si “servis politik” i shefit të tij në Tiranë. Më vjen keq që ai e zhvesh emrin e Mejdanëve, për të ruajtur mejdanin e Ali Ahmetit dhe të Klanit të Zajazit – që u pasuruan mbi idealet e shqiptarëve, të popullit, të diasporës, të dëshirës për liri, mirëqenie etj.
Rama nuk erdhi për të bashkuar shqiptarët në Shkup. Ai erdhi për të ruajtur një rrjet interesash që i ka vjetruar koha. Dhe për ironi, në vend të një ftese për bashkim, ai solli hijet e së kaluarës dhe ndau më thellë atë që tashmë është e përçarë.
Por shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ashtu siç i dhuruan kombit alfabetin më të bukur në botë, do të dalin nga balta e piktorit nga Tirana – që pikturon sipas tekeve të tij dhe shijeve politike që reciklohen prej 30 vitesh.