Urim Saliu
Sa më shumë që politika flet për cilësi jetese, për paga të larta, për mirëqenie sociale, një fëmijë I mjerë i demanton ata dhe akoma më keq I demaskon. TVSH nuk do ti kthehet një të mituri që ka zaptuar rrugët e Tetovës dhe digjet nga i nxehti. Atë e përvëlon kjo vapë e tmerrshme ndërsa ëndërron të paktën për një pishinë nëse do ta mposht vapën përvëluese.Deti?! “As që e ka parë ndonjëherë…
Aty në rrugë të gjithë e shohin, secili kalimtarë, se si vdesin ëndrrat e një vogëlushi të pafajshëm. Më poshtë është një fëmijë tjetër dhe pastaj edhe një tjetër.
Ata fëmijë në çfarëdo rrethane nuk duhej të ishin aty. Kurrë. Por sikur të ishte i vetëm në këtë vend ku njerëzit po perëndojnë. Deri këtu ka arritur varfëria mbytëse që vetëm ata lartë me petkun e politikës nuk e shohin dot, ata që kujtojnë se kanë ndryshuar botën dhe që fëmijët e tyre studiojnë jashtë me paratë që i fituan nga hiçi,vozisin vetura të shtrenjta të blera nga paratë e të tjerëve. Ata që janë fajtorët e këtij mjerimi, pra ata të gjithë pozitë e opozitë që dërdëllisin me decenie dhe flasin për çështje të mëdha kur fëmijët këta krijesa të pafajshme treten rrugëve dhe askush s’pyet për t’a.Ata piqen të gjallë në këto temperatura ekstreme.