Angazhimi i drejtpërdrejtë dhe vendosmëria e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, ka sjellë një fitore konkrete për nxënësit dhe prindërit shqiptarë të fshatit Nerovë të Krushevës, njofton Flaka

Pas vizitës së tij në këtë lokalitet javën e kaluar, ku dëgjoi shqetësimet e banorëve dhe premtoi përkrahje të plotë, ambasadori Meidani veproi menjëherë. Madje, në prani të banorëve, ai komunikoi drejtpërdrejt me zëvendëssekretarin për punë të përgjithshme në Qeveri, duke insistuar që çështja e shkollës të futet në rend dite të mbledhjes së ardhshme të ekzekutivit.

Kjo ndërhyrje ka prodhuar rezultat konkret: Qeveria ka miratuar vendimin që hap rrugën për legalizimin e objekteve shkollore në Nerovë, duke lejuar regjistrimin e pronës shtetërore në të cilën ndodhen objektet arsimore dhe kalimin e saj në pronësi të Komunës së Krushevës.

Si do të vijojë procesi?

  1. Parcela ku ndodhen dy objektet shkollore do të futet në planin urbanistik.
  2. Ajo do të kalojë në pronësi të Komunës së Krushevës.
  3. Pas kësaj, objektet do të legalizohen sipas procedurave përkatëse.
  4. Më pas, Ministria e Arsimit, në koordinim me komunitetin lokal, do të vendosë për mënyrën më të përshtatshme të organizimit të mësimit.

Ky është një zhvillim i rëndësishëm për më shumë se 120 nxënës shqiptarë të shkollës fillore “Nikolla Karev”, të cilët deri tani mësonin në kushte jo të përshtatshme. Kur banorëve iu ndalua ndërtimi i objektit të ri – të ngritur me vetëfinancim – ata protestuan dhe fëmijët bojkotuan mësimin.

“Merita të posaçme i takojnë edhe Ambasadorit të Shqipërisë për përkrahjen dhe vizitën që na bëri në këtë shkollë, vizitë që dha edhe rezultatet e para konkrete,” – u shpreh Bexhet Babloku nga Bashkësia Lokale e Nerovës.

Ambasadori Meidani ka dëshmuar se diplomacia mund të jetë e ndjeshme dhe efikase, kur vendoset në funksion të të drejtave themelore siç është arsimi. Me këtë angazhim konkret, ai jo vetëm ka forcuar besimin e qytetarëve shqiptarë në institucionet, por ka dhënë një shembull pozitiv të përfaqësimit dinjitoz e veprues.

Shkolla në Nerovë nuk është më një ëndërr e bllokuar – falë bashkëpunimit të komunitetit dhe përkrahjes së ambasadorit Meidani, ajo po bëhet realitet.