Nga taksat rrugore në gjysmën e parë të këtij viti janë mbledhur 1.900.255.930 denarë (30,89 milionë euro), 78 milionë denarë më shumë se sa të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar. Rritja e evidentuar në mbledhjen elektronike të taksave pritet të rritet me rimbushjen e pajisjeve elektronike – M-kartela dhe M-tag – përmes rrjetit të gjerë të pikave të shitjes me pakicë në mbarë vendin për të cilën Ndërmarrja Publike Rrugë Shtetërore (NPRRSH) së shpejti do të shpallë thirrje për zgjedhjen e operatorit. Në sistemin Ballkani i Hapur deri tani janë regjistruar 5.077 etiketa nga Maqedonia dhe 8.500 etiketa serbe.

“NPRRSH ka regjistruar rritje të vazhdueshme të të ardhurave nga mbledhja e taksave. Nga fillimi i vitit 2025 deri më sot të ardhurat totale për gjysmën e parë të vitit janë 1.900.255.930 denarë ose 78.000.000 denarë më shumë se të njëjtën periudhë gjatë vitit 2024. Sa i takon mënyrës së pagesës në rritje serioze është edhe përdorimi i pagesës elektronike ENP në pikat pagesore dhe kjo tregon një trend të rritjes së digjitalizimit dhe rrjedhës më të shpejtë të trafikut në pikë pagesat rrugore”, ka thënë për MIA-n Koce Trajanovski, drejtor i NPRRSH.

Pagesa është 99.6 për qind, që siç thekson Trajanovski, pra ulet edhe përqindja e të ashtuquajturve “mospagues”.

M -TAG më e kapshme për përdoruesit

Parlamenti javën e kaluar miratoi ndryshimet në Ligjin për rrugët publike me çka u krijua bazë ligjore për publikimin e thirrjes për përzgjedhjen e një operatori për të vendosur një rrjet shitjesh me pakicë në mbarë vendin për rimbushjen e pajisjeve elektronike – M-kartela dhe M-tag. Deri tani, kjo mund të bëhej vetëm në hapësirat e NPRRSH. Qëllimi është qasja e lehtë e pajisjeve elektronike rreth mbledhjes së taksave duke pasur parasysh përfitimet e mbledhjes së taksave të bazuara në etiketa e cila u dëshmua të jetë një metodë e suksesshme e mbledhjes sipas Marrëveshjes Ballkani i Hapur.

Sipas Trajanovskit, përvojat në vendet e tjera tregojnë se pajisjet elektronike rreth mbledhjes së taksave janë bërë më të kapshëm për përdoruesit e autostradave, ndërsa numri i përdoruesve është rritur shumëfish.

Paralajmëron se thirrja për përzgjedhjen e personave juridikë të autorizuar për shitjen, shpërndarjen dhe mbledhjen e taksave rrugore me pajisje elektronike në pikë pagesat (etiketa) varet pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Ligjin për rrugët publike.

“Përfitimi nga e gjithë kjo do të ishte zvogëlimi i kohës së pritjes, përkatësisht përshpejtimi i rrjedhës së trafikut në stacionet e pagesës, rritja e efikasitetit të stacioneve të pagesës, rritja e sigurisë në trafik, zvogëlimi i keqpërdorimeve dhe rritja e kënaqësisë së përdoruesve, përkatësisht qytetarëve”, thotë Trajanovski.

Ai siguron se kapacitetet e pagesës janë gati për sezonin veror dhe po punohet për të lehtësuar vijimin e trafikut.

“Po, kapacitetet e mbledhjes së taksave janë gati, konform dinamikës së rritjes së trafikut në autostrada dhe ne po përshtatemi me kushtet. Trafiku, si një materie e gjallë është gjithmonë me oscilime, por vazhdimisht në rritje. Prandaj, janë angazhuar më shumë kapacite për t’u përballur me turmat potenciale dhe për të lehtësuar lëvizjen normale përgjatë korridoreve”, ka thënë Trajanovski.

Dokumentacion për pagesën elektronike edhe për Milladinovcin

Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRRSH) gjithashtu bën të ditur se janë duke u zhvilluar përgatitjet për zhvillimin e dokumentacionit të projektit për sistem të mbyllur për pagesën elektronike të taksave në Korridorin 8.

Lidhur me modernizimin e stacioneve të pagesës dhe procesin e pagesës në Korridorin 8 tashmë po përgatitet dokumentacion për rikonstruimi i stacionit pagesor në Milladinovc për vendosjen e sistemit elektronik të pagesës.

Një sistem elektronik i pagesës në vend është në fuqi që nga korriku i vitit 2019 në stacionet e pagesës Rramanli, Otovicë, Sopot dhe Gradsko në Korridorin 10, si dhe në Petrovec. Në Korridorin 8, stacioni i pagesës në Gllumovë funksionin plotësisht në formë elektronike më 4 prill të vitit të kaluar, ndërsa Zhelina është transformuar në sistem elektronik një muaj më vonë.

Me ndryshimet e fundit në Ligjin për rrugët publike u vendos mundësia e regjistrimit digjital të rrugëve publike. Kjo, sipas shpjegimit nga Ministria e Transportit është me rëndësi të veçantë sa u përket të dhënave dhe tani vendoset si një parametër i nevojshëm për funksionimin më të mirë të sistemit të menaxhimit të mjeteve rrugore në rrugët publike. Konkretisht, parashihet detyrim për regjistrim digjital të rrugëve publike që janë nën komptenca të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore si dhe nën kompetenca të komunave dhe Qytetit të Shkupit – rrugët komunale, me një sistem referimi dhe stacionim të përshtatshëm si dhe dorëzim të evidencave të rrugëve komunale deri te NPRRSH. Gjithashtu rregullohet edhe afati për vendosjen e Sistemit të unifikuar për menaxhimin e mjeteve rrugore në rrugët publike i cili ka të bëjë me rrugët komunale, si dhe afatin për komunat dhe Qytetin e Shkupit duhet të fillojnë me mbajtjen e evidencës në këtë sistem për rrugët publike që janë nën kompetenca të tyre. Me ndryshimet ligjore zgjerohet fakti se në ç’vende ose rrugë publike mund të zbatohen masa për ngadalësim të trafikut konform rregullorës së sigurisë në trafik duke marrë parasysh zhvillimet e viteve të fundit në lidhje me mënyrat e drejtimit të automjeteve në zonat e populluara dhe mosadaptimi i shpeshtë i shpejtësisë në rrugë që mund të sjellë në aksidente të shpeshta trafiku që për fat të keq përfundojnë me fatalitet.