Sedat Sulejmani: Një kapitull i ri për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore – 38 artistë me vendime të përhershme

Zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, ka bërë të ditur një zhvillim të rëndësishëm për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, duke e cilësuar këtë si një kthesë historike në trajtimin e artistëve shqiptarë në këtë institucion.
Sipas tij, për vite me radhë, artistët e ansamblit janë lënë në harresë, pa kontrata të rregullta dhe pa mbështetjen institucionale që meritojnë. Por kjo situatë ka ndryshuar.
“Ansamblit po i rikthehet dinjiteti që i takon me të drejtë,” deklaroi Sulejmani, duke shtuar se që nga dita e parë e marrjes së detyrës ka punuar me përkushtim për të ndrequr këtë padrejtësi.
Aktualisht, ansambli përbëhet nga 38 artistë të punësuar me vendim të përhershëm, përfshirë:
9 instrumentistë të orkestrës
8 këngëtarë
21 valltarë
Zëvendësministri theksoi se përkushtimi institucional nuk ndalet këtu. Një prioritet tjetër mbetet zgjidhja e statusit për 4 valltarë dhe një defator, për të cilët është zotuar se do të bëhet çdo përpjekje që të përfshihen në mënyrë të barabartë në ansambël.
“Kjo është kultura që mbështesim me zemër. Ansambli do të jetë burim krenarie për shqiptarët, kudo që ndodhen,” përmbylli ai.
Ky hap i rëndësishëm përforcon rolin e institucioneve kulturore shqiptare dhe ofron siguri profesionale për artistët që ruajnë e promovojnë trashëgiminë tonë kulturore.