Bexheti: Albrim, pse nuk i mbrojte dhjetra shqiptarë që u larguan në Pyjet e Maqedonisë në Strugë, si zëvendësministër?

Në një reagim të ashpër ndaj deklaratave të Albrim Hoxhës, zëvendës i zëvendësministrit të dorëhequr të Bujqësisë, ish-zëvendësministri dhe përfaqësuesi politik shqiptar, nënvizon se paaftësia personale dhe mungesa e kapacitetit politik nuk mund të fshihen pas akuzave ndaj të tjerëve.
“Kur paaftësia personale dhe mungesa e takatit politik për t’i shërbyer shqiptarëve mbulohen me akuza ndaj tjetrit, atëherë nuk kemi të bëjmë me përgjegjësi morale, por me një përpjekje të mjerueshme për të mashtruar opinionin publik,” deklaron Bexheti.
Ai e cilëson të pandershme dhe joetike përpjekjen e Albrim Hoxhës për të hedhur fajin mbi të për gjendjen në Ministrinë e Bujqësisë, duke kujtuar se vetë Hoxha e pranoi me dëshirë një pozitë që ai e kishte refuzuar për arsye parimore.
“Kam dhënë dorëheqje pikërisht për shkak të neglizhencës së udhëheqësisë së asaj ministrie ndaj punonjësve shqiptarë, për faktin se punësimi dhe avansimi i tyre bllokohej sistematikisht,” thekson Bexheti. Ai shton se në këtë institucion kishte një qasje të hapur diskriminuese ndaj shqiptarëve, gjë për të cilën ka alarmuar të gjithë faktorët relevantë, përfshirë edhe përfaqësuesin e VLEN-it për çështjet kadrovike dhe dy zëvendëskryeministrat shqiptarë.
Bexheti thekson se Hoxha ka qenë prezent në mbledhjet e Kryesisë Qendrore ku janë ngritur këto shqetësime dhe nuk ka reaguar asokohe, por ka pritur në heshtje të përfitonte nga largimi i tij.
“Është lehtë të ulesh në një karrige që të tjerët e kanë lënë për hir të parimeve, por e vështirë të qëndrosh aty me dinjitet,” thotë ai, duke i kujtuar Hoxhës se integriteti nuk trashëgohet, por ndërtohet me qëndrime dhe jo me servilizëm.
Në fund, Bexheti ngre një pyetje publike drejtuar Hoxhës:
“Pse nuk i mbrojte dhjetra shqiptarë që u larguan nga puna në Njësinë Rajonale të Strugës, në Drejtorinë e Pyjeve të Maqedonisë, përderisa ishe zëvendësministër i Bujqësisë? Apo edhe për këtë fajin e kam unë?”