Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët paralajmëroi se zgjedhjet lokale do t’i shpallë në gjysmën e parë të gushtit.

I pyetur nëse do të shpallen më 8 gusht, Gashi theksoi se është e mundur dhe se kjo do të jetë në kuadër të afateve të parashikuara.

“Mundet të shpallen më 8 gusht. Gjithçka do të jetë në kuadër të afateve. Kodi zgjedhor ka dy dispozita nga të cilat udhëhiqemi. E para është dispozita që nuk duhet të jetë më shumë se 90 ose më pak se 70 ditë. Pika e dytë orientuese është Ligji për Vetëqeverisje Lokale, ku thuhet se zgjedhjet duhet të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit. Në kuadër të këtyre dy periudhave, do t’i shpallim zgjedhjet. Me siguri në gjysmën e parë të gushtit”, tha kryetari i Kuvendit.

Rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të cilat janë në procedurë parlamentare, Gashi thekson se është duke pritur përgjigje nga grupet parlamentare që ta njoftojnë se janë dakorduar që ligji të mund të shkojë në procedurë.

“Nuk kemi paralajmërim për Kodin Zgjedhor. Po zhvillohen bisedime mes grupeve parlamentare, por unë nuk jam i njoftuar për këtë. Pres një shenjë nga grupet parlamentare që janë dakorduar dhe se Kodi Zgjedhor mund të shkojë në procedurë”, tha ai.

Lidhur me shumicën e Badenterit, kryetari i Kuvendit tha se nuk ka asnjë ndryshim.

“Nuk ka ndryshim rreth Badenterit. Mbetet i njejti formulim. Për çdo ligj veçmas, deputetët nga komunitetet joshumicë deklarohen. Deri tani kemi parë që disa herë deputetë nga komunitetet joshumicë që janë në opozitë votojnë për propozimet e shumicës. Kjo mbetet relative”, tha Gashi.