Interpelanca ndaj kreut të Gjykatës Kushtetuese në pikëpyetje – Kuvendi mund ta heqë nga rendi i ditës

Interpelanca e paralajmëruar ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, është vënë në pikëpyetje pas koordinimit të sotëm në Kuvend. Gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, shumica e koordinatorëve të grupeve parlamentare u shprehën se kjo interpelancë nuk duhet të mbahet, duke theksuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
“Çdo bartës i funksionit publik mund t’i nënshtrohet interpelancës, por në këtë rast bëhet fjalë për një pushtet të pavarur, atë gjyqësor,” deklaroi Gashi në brifing me gazetarët.
Seanca për këtë çështje është paraparë për të mërkurën, por është e mundur që pika të propozohet për heqje nga rendi i ditës. Iniciativa për interpelancë është paraqitur nga BDI, e cila sot nuk mori pjesë në koordinim. Pavarësisht përpjekjeve për të kontaktuar disa deputetë të kësaj partie, nuk u mor një përgjigje e qartë për qëndrimin që do të mbajnë në seancë.