A do t’i shpëtojë Kostadinovski interpelancës? Gashi: Mbizotëroi qëndrimi se bëhet fjalë për pushtet gjyqësor

Interpelanca e paraqitur për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, është bërë e pasigurt, pasi gjatë koordinimit të sotëm te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, koordinatorët e grupeve parlamentare kanë thënë se ajo nuk duhet të mbahet, përcjell TV21. Çdo bartës i funksionit publik mund t’i nënshtrohet interpelancës, por megjithatë në këtë rast bëhet fjalë për pushtetin gjyqësor, i cili është i pavarur – deklaroi Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët.
Seanca për kërkesën e përgjegjësisë është caktuar për të mërkurën, por me gjasë do të propozohet që pika të hiqet nga rendi i ditës. Iniciativa për interpelancë ndaj Kostadinovskit u paraqit nga BDI, por ata sot nuk ishin të pranishëm në koordinim. Edhe pse u përpoqëm të kontaktojmë disa nga deputetët e tyre, nuk morëm përgjigje se si do të veprojnë në vetë seancën.