Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar një vizitë në degën e partisë në Strugë, ku është pritur nga strukturat lokale dhe anëtarësia e gjerë. Gjatë takimit, u theksua uniteti i degës dhe përkushtimi ndaj idealit të themeluar nga vetë lideri.
Në këtë takim lideri i BDI ka thënë se, partia është e unifikuar dhe e vendosur për të çuar përpara një vizion të ndërtuar mbi idealizmin, punën dhe sakrificën.
“Jo për përçarje, por për bashkim. Jo për interesa personale, por për të mirën e përbashkët”, ka theksuar Ahmeti.
“Bashkimi Demokratik për Integrim ka ndërtuar besim ndër vite përmes një rruge që nuk lëkundet nga dallgët e momentit dhe se është koha për barazi reale, për dinjitet dhe për të drejta të barabarta në çdo institucion dhe në çdo cep të vendit”, ka thënë Ahmeti, thuhet në njoftimin e degës së BDI.
“Një rrugë, një qëllim – përpara me besim, sepse ideali na bashkon, vizioni na udhëheq dhe përgjegjësia na mobilizon”, u theksua në këtë takim.