Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për sabotimin sistematik të projektit të Autostradës Shkup – Bllacë, një lidhje strategjike jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë rajonin dhe partneritetin tonë me Republikën e Kosovës.

Edhe pse më shumë se dy kilometrat e para janë përfunduar me sukses gjatë qeverisjes së kaluar, kjo Qeveri vazhdon të refuzojë hapjen e tyre për përdorim publik, fillimisht duke premtuar gjoja një “revision teknik”, e tash duke deklaruar fillimin e një “procedurë të re për prokurim publik”. Ky është një skenar i njohur politik për të zvarritur dhe bllokuar qëllimisht projektet që janë iniciuar nga BDI dhe që lidhen drejtpërdrejt me interesin strategjik të vendit.

Qëllimi është i qartë dhe i lexueshëm: çdo investim madhor që është planifikuar dhe nisur nga BDI duhet të ndalet, të zhbëhet, të harrohet. Kjo është logjika që udhëheq këtë qeveri pa legjitimitet etnik, e cila funksionon nën tutelën e interesave që duan të minojnë rolin institucional të shqiptarëve në shtet.

Për më tepër, shqetësuese është roli i VLEN-it, që në vend të përfaqësojë interesat e shqiptarëve, është shndërruar në zbatues të bindur të agjendës politike të VMRO-së, duke përkrahur çdo vendim që shkon në dëm të projekteve kombëtare dhe zhvillimore.

BDI siguron qytetarët se pas tetorit, me rikonfirmimin e saj si forcë udhëheqëse, të gjitha projektet e nisura do të marrin rrugën e përfundimit, ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë. Autostrada Shkup – Bllacë do të bëhet realitet, jo për inat të dikujt, por për të ardhmen tonë të përbashkët europiane dhe zhvillimin rajonal.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume