Shkruan: Hasan Jashari

A mund një bashkësi të ketë perspektivë qytetare kur kemi me tepricë xhamish dhe asnjë çerdhe
për fëmijë?
Sociologjia na mëson se historikisht qyteti e ka shfrytëzuar fshatin. Gjithashtu dihet se risitë kanë
depërtuar shumë më ngadalë në fshat. Vetë qytetarët përdorin një ironi të njohur: “Lëvdoje
fshatin, jeto në qytet.”
Sipas AI-së dhe National Geographic, një komunitet rural është një zonë gjeografike me dendësi
të ulët popullsie, që shpesh përfshin ferma, fshatra dhe peizazhe natyrore. Këto bashkësi
zakonisht kanë lidhje të forta me tokën dhe burimet natyrore, dhe ekonomia e tyre shpesh
bazohet në bujqësi, pylltari etj. Ndërsa ofrojnë ndjenjë komuniteti dhe qasje në natyrë, këto zona
përballen edhe me sfida serioze si mungesa e shërbimeve dhe mundësive ekonomike.
Kujtime nga e kaluara rurale
E kujtoj fëmijërinë në zonën rurale të Pollogut në vitet '70 të shekullit të kaluar. Struktura
profesionale ishte kryesisht bujqësore; përjashtim bënte Tearca ku kishte edhe zanate. Të vetmit
profesionistë ishin arsimtarët, pak punëtorë të Jugohromit dhe Teteksit, si dhe disa pensionistë që
kishin punuar në ndërtimin e hidrocentraleve të Mavrovës ose në Radushë. Ishte koha kur kishte
filluar emigrimi për punë në Zvicër, Gjermani, Danimarkë, Francë, Austri etj. Rrugët ishin plot
pluhur, kurse kur binte shi plot baltë . Jeta bëhej aty, duke ecë në këmbë, duke mbajtë në krahë
ose në shpinë furnizimet nga fusha e nga shitorja. Të gjithë njerëzit takoheshin nga disa herë në
ditë, në rrugë, në fushë apo në mal.

Rrugët ishin plot me kafshë shtëpiake, kuaj që bartnin njerëz me qerre të mbushura nga të lashtat.
Në vitet 70 të shekullit të kaluar Dobroshti kishte 2-3 vetura, 5-6 televizor, 2-3 shitore, 1.
Kovaçhane e Ruzhdi Romit. Por kishte plot Mahmutovit dhe Rexhepovit që shpërndanin të
vërteta dhe të pavërteta për njëri tjetrin, që interesoheshin për punët e Tjetrit. Apo si që thotë
Ismail Kadare në veprën e tij Kronikë në gurë, ‘e gjithë lagjeja fliste për ate se Djali i Nazos ka
vu size , e u bë kijameti…’
Maqedonasit, ndryshe nga shqiptarët, pas viteve ’60 filluan të transformoheshin nga bujq në
punëtorë industrialë, me ndihmën e shtetit përmes masave stimuluese. Në vjeshtën e vitit 1972,
kur nisëm gjimnazin, autobusi nga Vratnica ishte plot me punonjës që shkonin në Komunë,
spital, poste, dyqane, polici, ushtri e biznese të vogla. Në ora 5 të mëngjesit, maqedonas meshkuj
e femra prisnin autobusët për në Kombinatin Teteks dhe Jugohrom, por shqiptarë pothuajse nuk
kishte – sidomos femra.
Në fabrikat Teteks dhe Jugohrom punonin kryesisht maqedonas, dhe nga 100 pozitat
udhëheqëse, nuk kishte asnjë shqiptar. Në një fabrikë lëkurash me 270 punëtorë, kishte një
drejtor shqiptar, i cili vazhdimisht etiketohej si “njënacional”, term që përdoret ende sot kur
shqiptarët janë shumicë, por jo kur ndodh e kundërta.
Nga prodhues të ushqimit, në konsumatorë
Fshatarët atëherë ishin furnizuesit kryesorë të qyteteve me ushqime: vezë, speca, qumësht,
bostan, rrush, gështenja, arra, groshë. Shisnin edhe në Beograd, Zagreb e Ferizaj. Ushtria
jugosllave furnizohej me groshë nga këta fshatarë nga Pollogu. Sot, ky furnizim është i
shpërndarë: një pjesë nga fshati, një pjesë nga qyteti,më shumë nga importi. Grosha importohet
nga Egjipti e Kazahkistani
Në të kaluarën, 2/3 e popullsisë rurale merrej me bujqësi, duke siguruar ushqim dhe materiale
për shtresat urbane. Ata ishin punëtorë të paguar pak dhe të rënduar nga taksat e shtetit.
Gjendja aktuale: Mashna, mure të larta dhe mungesë solidariteti
Sot, komunat rurale shqiptare në Pollog janë të rënduara nga mashnat (të shprata dhe relikte të
një katrahure ndërtimi pa plan), mure të larta dhe automjete të shumta.Komunizmi, aty ka fundi i
viteve 80 të shekullit të kaluar, në mënyrë të vrazhdët u mundua që të rrëzojë dyert dhe murret e
shtpive . Ajo ishte një dhunë shtetërore.
Por sot, çdokush duhet ë mendojë për të bukurën, si ta zbukuron bashkësinë. Ka shtëpi shumë të
bukura me rrethoja, mure, mashna të shëmtuara.

Murre e,mashna, kot.
Tani nga aspekti sociologjik shohim se miqësitë janë dobësuar, individualizmi është në rritje dhe
fqinjësia nuk është më si më parë. Marrëdhëniet sociale mbahen më shumë në bazë fisi ose vendi
pune. Pamvarësia ekonomike ka larguar zakonin për të kërkuar ndihmë nga fqinjët: një tepsi
miell, një lugë, kripë apo një enë të huazuar.
Anarkia urbane dhe keqmenaxhimi i hapësirave publike
Hegeli thoshte se anarkia është më e keqe se dhuna e shtetit. Qytetet dhe fshatrat në Pollog po
mbyten nga uzurpimi i hapësirës publike. Ka një mentalitet të rrënjosur që lejon ndërtimin në
rrugë, shtimin e ballkoneve mbi rrugë, vendosjen e tavolinave të kafeneve në trotuar dhe
parkimin e veturave pa rregull. A duhet shenjëzim për trafikun edhe nëpër fshatra? Kjo është një
nevojë e menjëhershme dhe nuk kërkon shumë para. Ndryshimi duhet të fillon nga qasja ndaj

sjelljes në trafik. Pollogu është Arabi më tha një professor i universitetit të Zagrebit para
kolegëve të tij.
Hapësirat publike janë jetike për komunitetet. Si dikur Agora greke, ato duhet të shërbejnë si
vende për bashkëveprim, debate, rekreacion dhe përkatësi. Parqet, trotuaret, bibliotekat, rrugët e
sheshet duhet të jenë të mirëmbajtura, të sigurta dhe të përshtatshme për të gjithë.
Nënat duhet të kenë vend ku t’i shetisin fëmijët, pa tym,pa zhrurmë.
Kompleksi i veturës dhe mungesa e përgjegjësisë qytetare
Njerëzit tanë, të gjithë ne,vuajmë nga një kompleks i çuditshëm: duan të shkojnë me veturë deri
te dera e gjykatës, nëse kemi punë aty, kafenetë apo edhe dyqanet më të afërta. Rrugët janë të
ngushta, sepse mashnat dhe murret nuk hiqen që të krijohet hapësirë për 2-3 veturat familjare
edhe të krijohet hapësira për një parkim të sigurt. Në vend të ecjes, përdorim veturën për çdo
distancë të shkurtër. Kjo sjell në mjedisin tonë pluhur, zhurmë dhe ndotje që e krijojmë vetë.

Për kafe me veturë edhe kur shtëpia është 200 m larg.

Mungesa elementare të infrastrukturës
Komunat si Tearca dhe Jegunovci janë pa zjarrfikës, pa ndihmë të parë mjekësore 24 orë, pa
bankomate. Nga Jazhinca deri në Tetovë janë rreth 33 km, dhe një i sëmurë duhet të udhëtojë një
orë për ndihmë mjekësore. Pollogu nuk ka as shtëpi për pleq, megjithëse numri i tyre po rritet.
Ministri është shqiptar, por askush nuk merret me këtë çështje.
Dritë në fund të tunelit?
Po shihen disa përmirësime. Njerëzit kanë filluar të mbjellin lule përreth shtëpive të tyre,ti
mirëmbajnë ato. Bashkësitë lokale po angazhohen për mirëmbajtjen e hapësirave, duke punësuar
njerëz. Po krijohen kënde lojërash për fëmijë dhe vende për pensionistët. Disa po ndërtojnë
shtëpi të bukura e rrethoja të bukura. Këto janë sinjale pozitive. Tani duhet të që komunat të
paguajnë njerëz që të mbrojnë ambientin nga ndotja.

Shtëpitë e bukura pas mureve të larta

Përfundim
Hapësirat publike të mirëmbajtura kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Nevojat ndryshojnë,
pajisjet dëmtohen, shoqëria zhvillohet. Një hapësirë publike e mirë duhet të jetë e rehatshme, të
ketë një imazh të denjë dhe të nxisë krenarinë tek banorët. Siç më tha një kushëri: “Kemi plot
akademikë, por na mbyti pluhuri.” Dhe e vërteta është se pluhurin, tymin dhe kaosin e krijojmë
vetë – sepse nuk ecim në këmbë , nuk e duam rregullin, nuk respektojmë hapësirën publike.
Në fund të fundit, komuna duhet të vendosë rregullin urban dhe të kujdeset për cilësinë e jetës.
Muret e zymta mund të lyhen me gëlqere. Rrugët duhet të hapen për njerëzit dhe për makinat.
Ndryshimi fillon me ne , dhe vazhdon me institucione që funksionojnë.
Vendbanimet,në Pollog duhet të ndryshojnë, duhet të mbjellet e bukura në ato. Secili le të fillon
nga shtëpija e tij, rrethoja e shtëpisë, parrkingu brenda shtëpisë, murri i gëlqerosur, ambienti
jetësor i pastër etj.
Shënim: Akademia Shqiptare e Shkencave dhe e Arteve në muajin Tetor organizon konferencë
shkencore me titull pune. Tema:"Shqiptarët në Maqedoni – Jeta e tyre në mjediset rurale dhe
urbane”. Në konferencë do të marrin pjesë edhe akademikë nga Kosova dhe Shqipëria.