Protestat në Serbi/ Gati për të qëlluar ndaj protestuesve, polici civil nxjerr pistoletën në mes të turmës në Beograd

Kamera ka kapur një burrë, për të cilin studentët dyshojnë se është inspektor në civil, i cili nxjerr pistoletë gjatë një proteste qytetare në Novi Beograd. Në video duket se personi kishte shenjën e policisë rreth belit ndërsa lëvizte mes ndërtesave duke mbajtur armën në dorën e djathtë.
Studentët e FON-it mbrëmë postuan në rrjetin X se “inspektorë ishin në disa hyrje në Novi Beograd dhe Zemun”, dhe se ata kishin nxjerrë pistoleta dhe tentuan t’i sulmonin. “Hyrën tre inspektorë në një hyrje, nxorrën pistoletat dhe filluan të na sulmonin të gjithë. Disa i arrestuan, disa ikën në apartamente”, thanë studentët.
Policia gjatë mbrëmjes përdori gaz lotsjellës dhe bomba zëri, duke shpërndarë qytetarët që po lëviznin drejt Zemunit, ndërsa në kryqëzimin e Bulevardit Mihaila Pupina dhe rrugës Džona Kenedija u dëgjuan të shtëna topash para se policia të intervenonte.
Pas shpërndarjes së qytetarëve, policia u tërhoq drejt rrethrrotullimit përpara ndërtesës së Bashkisë Novi Beograd, ndërsa kolona e demonstrantëve kishte kaluar më parë nga Stari Merkator drejt Zemunit. Një incident i ri ndodhi rreth orës 22:30, kur policia sërish hapi gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit.
Në Bulevardin Mihajla Pupina ishin të pranishme forca të mëdha policore dhe automjete të MUP-it, ndërsa rrugët përreth jehonin nga të shtënat e topave dhe piroteknika.