Në disa qytete të Serbisë, studentët dhe qytetarët kanë nisur të grumbullohen nëpër sheshe për të vijuar protestën kundër Vuçiç, sot në mbrëmje në ditën e pestë të saj.

Në Novi Sad protesta është thirrur në sheshin para rektoratit me moton “Po bien mbeturinat – populli sundon”, ndërsa banorët e Nishit po mblidhen për të nisur protestën në orën 21:00 te Crveni Pevac.

Në Novi Bečej, në veri të Serbisë, qytetarët për herë të parë kanë bërë thirrje të protestojnë para ambienteve të SNS, Partia Progresive Serbe e udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç për këtë arsye një kordon policor ruan godinën.

Ndërkohë Vuçiç ka dërguar një kolonë makinash policie drejt Beogradit të ri (zonë administrative e qytetit të Beogradit) ndërsa 4 studentë u ndaluan sot pasdite në Nis dhe ndodhen në ambientet e komisariatit të policisë.

Protesta janë thirrur dhe në Krushevac dhe Leskovac.

Protestat e fundit janë nxitur nga disa incidente në qyteza të Vojvodinës, më 12 gusht, kur mbështetësit qeveritarë i kanë sulmuar protestuesit me fishekzjarrë.

Situata është përshkallëzuar edhe nga veprimet e zyrtarëve policorë atë ditë, të cilët protestuesit i kanë akuzuar se nuk kanë bërë asgjë për t’i parandaluar sulmet.

Policia në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto akuza, dhe ka thënë se ajo i ka parandaluar disa trazira të mëdha.